Ankim për gjyqtarët e Delijorgjit
Fatos Mahmutaj
Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dosjen e shkarkimit të tre gjykatësve që i dhanë pafajësi Mihal Delijorgjit. Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu tha dje se Këshilli është në pritje të zbardhjes së vendimit të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, për të përgatitur ankesën në Gjykatën Kushtetuese. Deklarata e numrit dy të Këshillit u bë dje në Gjykatën e Tiranës, ndërsa ndodhej së bashku me Drejtorin e Magjistraturës Arben Ristani, për të prezantuar tetë studentët e vitit të tretë të kësaj shkolle, për të kryer stazhin e punës. Kreshnik Spahiu në fjalën e tij e quajti të padrejtë vendimin e Gjykatës së Lartë për rikthimin në detyrë të tre gjykatësve, të cilët me firmosjen e pafajësisë për Mihal Delijorgjin, i krijuan atij kushtet për të nënshkruar kontratën demontimit që solli tragjedinë e Gërdecit. Sipas tij, edhe në raste të tjera, kur Gjykata e Lartë kthen në punë gjykatës të shkarkuar nga KLD-ja, gjithmonë, Kushtetuesja ka vendosur në favor të Këshillit. "Vendimi kolegjial i KLD-së është i drejtë dhe vendimi i Gjykatës së Lartë, nuk do ta cenojë, pasi kjo mosmarrëveshje do të transferohet në Kushtetuese. Kjo gjykatë ka interpretuar dy herë çështje të ngjashme dhe të dy rastet kanë qenë në favor të KLD-së", tha Spahiu. Ndërkohë, pas shpërthimit të fabrikës së demontimit të materialeve ushtarake në Gërdec, mediat nxorën fakte në të njëjtën ditë që tre gjykatësit e apelit ushtarak kishin shpallur pafajësinë për Mihal Delijorgjin, ky kishte firmosur kontratën e demontimit me Ministrinë e Mbrojtjes. Pas kësaj inspektorati i KLD-së kontrolloi dosjen e gjykuar në Apelin e Durrësit dhe pas kësaj Këshilli ia dërgoi rezultatet Ministrit të Drejtësisë, i cili në sajë të tyre i kërkoi KLD-së shkarkimin e tre gjykatësve Naum Pejo, Shaqir Gradica dhe Ylli Minka. Në muajin tetor të vitit të kaluar, KLD-ja vendosi shkarkimin e tyre nga detyra, duke argumentuar se kanë shkelur procedurat ligjore të gjykimit të Delijorgjit, pasojë e të cilave është edhe humbja e të drejtës së Doganave për të kërkuar dëmshpërblimin 122 milionë euro. Pas kësaj Këshilli vendosi në mënyrë kolegjiale shkarkimin e tre gjykatësve që kishin gjykuar të komanduar biznesmenin e arrestuar për Gërdecin. Por Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, pak ditë më parë vendosën të prishnin vendimin e KLD-së, duke pranuar kërkesën e tre gjyqtarëve për rikthim në detyrë. Po dje Spahiu pohoi se në mbledhjen e radhës do të zgjidhet problemi i 10 magjistratëve të paemëruar në punë. fa.ma.
Tiranë, Spahiu prezanton 8 magjistratët
TIRANE - KLD prezantoi dje në Gjykatën e Tiranës tetë kandidatët për magjistratë, që do të kryejnë stazhin profesional një vjeçar në këtë institucion si gjyqtarë. Prezantimi i magjistratëve, u bë nga tre anëtarë të Këshillit, kryesuar nga nënkryetari Kreshnik Spahiu, në praninë e Drejtorit të Magjistraturës Arben Ristani dhe të kryegjyqtarit të Tiranës, Albert Meçe. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në një dekret të një jave më parë ka konfirmuar propozimin e KLD-së, i cili në unanimitet dhe në ndryshim nga praktikat e mëparshme, mundëson fillimin e ushtrimit të veprimtarisë gjyqësore për tetë kandidatët për magjistratë, në gjykatën më të madhe në vend. KLD pohoi dje se rëndësia e kësaj vendimmarrje, u pa e lidhur me ngarkesën e lartë të punës dhe shumëllojshmërinë e çështjeve gjyqësore që ofron gjykata e kryeqytetit, dhe që u vlerësua nga Këshilli se i shërben formimit profesional të magjistratëve gjyqtarë. f.m.