Itali, shqiptarët përleshen me thika për 800 euro
ITALI - Grindja për 800 euro mes dy shqiptarësh në Parma të Italisë ka përfunduar me plagosjen e rëndë me thikë të njërit prej tyre. Ndërsa agresori është arrestuar nga policia, i plagosuri Nuri Dervishi, 25 vjeç, ndodhet në spitalin "Magiore" të Parmës. Agjencitë italiane të lajmeve publikuan dje arrestimin e Lulzim Rexhepit, 32 vjeç, sipërmarrës i vogël ndërtimi, për akuzën e "tentativës së vrasjes". Mësohet se ngjarja për të cilën është prangosur 32-vjeçari ka ndodhur dy ditë më parë në sheshin "Piceli" të këtij qyteti, ku është parë nga dhjetëra kalimtarë. Sipas policisë së vendit fqinj, kapja e Rexhepit është mundësuar pas mbledhjes së dëshmive të dhëna nga dëshmitarët okularë të grindjes. Gjithçka ka ardhur pas një debati të ashpër të filluar mes Rexhepit dhe vëllait 18- vjeçar të të plagosurit Dervishi. Mësohet se shkak i grindjes kanë qenë një borxh prej 800 eurosh që Rexhepi i detyrohej vëllait 18-vjeçar të Dervishit. Këtë shumë, 18- vjeçari e kishte fituar kohë më parë kur kishte punuar për Rexhepin. Pasditen e së dielës, i riu kishte lënë një takim me punëdhënësin e tij të dikurshëm për të zgjidhur problemin. Në orën e lënë më parë, 18-vjeçari është paraqitur në sheshin "Piceli", nën shoqërinë e vëllait të tij. Sipas dëshmitarëve, menjëherë "palët" kanë filluar të replikojnë ashpër dhe të konfrontohen fizikisht. Në grindje e sipër, Rexhepi ka nxjerrë një thikë. I riu Dervishi është përpjekur të mbrohet, duke e goditur kundërshtarin, por Rexhepi e ka qëlluar duke i shkaktuar një plagë të rëndë në zonën e barkut.