Nishani: Kemi goditur 300 grupe kriminale
TIRANE - Ministria e Brendshme hodhi poshtë dje deklaratat e Partisë Socialiste për mungesë sigurie në vend, duke pohuar se qeveria shqiptare dhe agjencitë e zbatimit të ligjit kanë si aleatin e tyre më të fortë qytetarin shqiptar, i cili ndihet sot më i sigurt se kurrë më parë në jetën e tij të përditshme. "Me ardhjen e kësaj qeverie në pushtet u bë i mundur asgjësimi i rreth 300 grupeve të krimit të organizuar dhe arrestimi i rreth 1000 anëtarëve të këtyre bandave. Sot Shqipëria është në nivele më të ulëta kriminaliteti se edhe vetë vendet e Bashkimit Evropian", tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja. Sipas tij, "mbi 300 persona të inkriminuar janë ekstraduar nga vende të ndryshme që janë dërguar në dyert e drejtësisë shqiptare". Ministria e Brendshme tha se gjatë viteve të qeverisjes së kësaj qeverie janë zbuluar rreth 900 ngjarje të vjetra, autorët e të cilave ishin "larguar në drejtim të paditur" gjatë viteve të qeverisjes socialiste. "Sot strukturat e zbatimit të ligjit brenda një kohe rekord zbulojnë deri në 95% të ngjarjeve kriminale, ndërsa gjatë viteve të kësaj qeverisjeje nuk ka humbur jetën as edhe një punonjës i vetëm policie, përkundrejt 180 punonjësve të policisë të vrarë gjatë viteve të qeverisjes socialiste", tha Ministria e Brendshme.