Ish-zyrtari i tatimeve nën akuzë, vodhi para me mashtrim si fajdet
TIRANE - Ish-zyrtari i Tatim-Taksave denoncohet për mashtrim nga kushërinjtë, pasi iu përvetësoi 84 milionë lekë me fajde me premtimin për të hapur një biznes. Arben Tole, 37 vjeç, me profesion ekonomist dhe ish-punonjës i Tatimeve, banues në rrugën "Him Kolli" në Tiranë, është marrë në ndjekje penale nga policia e kryeqytetit. Ai akuzohet për mashtrim në shuma të mëdha ndaj të paktën tre personave, nga të cilët përvetësoi vlerën e 84 milionë lekëve të vjetra. Të dëmtuarit, sipas burimeve të policisë, rezultojnë të jenë kushërinj të afërt të personit të akuzuar, të cilët i kishin dhënë atij paratë pas pretendimeve për të hapur një biznes të rrobave të përdorura. Kallëzimi është depozituar dje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës nga Zana Tole, e cila është nusja e djalit të xhaxhait të personit në hetim. Po kështu ndaj ekonomistit ka bërë kallëzim edhe djali i hallës si dhe dy persona të tjerë. Nuses së kushëririt të tij, Zana Tole, sipas kallëzimit, 37-vjeçari i ka marrë një shumë prej 70 milionë lekësh të vjetra. Kjo e fundit kishte shitur shtëpinë me këtë shumë dhe me paratë që kishte fituar ka menduar se do të hapte biznesin bashkë me kushëririn e të shoqit. Ndërkaq sipas burimeve të policisë personat e tjerë kanë përdorur kursimet e tyre, të cilat i kanë depozituar tek Arben Tole me idenë se do të bëheshin aksionerë në biznesin e tij. Argumentimi i të akuzuarit për të kërkuar paratë ka qenë se do të punonte për të hapur një biznes në shitjen e rrobave të përdorura. Madje i denoncuari kishte nënshkruar edhe një kontratë me "investitorët", ku reflektohej shuma e marrë nga ekonomisti, ish-zyrtar i Drejtorisë së Tatimeve. Pas marrjes së denoncimit nga palët, policia ka shoqëruar Arben Tolen për të sqaruar situatën. Në ambientet e policisë është kryer ballafaqimi, ku ekonomisti ka pranuar borxhin e marrë tek të afërmit e tij si dhe tek gruaja që kishte shitur shtëpinë. Ish-tatimori ka pranuar se ka marrë paratë, por më tej ai nuk ka dhënë sqarime lidhur me mënyrën si i ka shpenzuar ato. Ai u ka pohuar hetuesve se kishte ndërmend të përgjigjej vetëm në praninë e avokatit. Blutë kanë administruar kontratat, deklarimet e palëve, të cilat i kanë referuar në Prokurorinë e Tiranës. Pas konsultimeve me Prokurorinë është vendosur që ndaj Arben Toles të ngrihet akuza e "mashtrimit në shuma të mëdha më shumë se një herë", ndërsa i dyshuari do të hetohet në gjendje të lirë. d.b