E Shtunë, 31 Tetor 2026

Metalurgët: Po shkatërrohet industria e kromit në Burrel

 

BURREL - Uzina e ferrokromit nuk prodhon që nga gushti i vitit të kaluar. Rreth 110 metalurgë janë urdhëruar të mos paraqiten në punë, pasi firma e huaj e ka të pamundur për të rivënë në punë furrat e shkrirjes. Metalurgët mësohet se do të paguhen me 50 për qind të pagës së tyre deri atëherë kur firma "Ital-Crome" të deklarojë falimentin dhe kjo uzinë t'i besohet një koncesionari tjetër. Rënia e çmimit të ferrokromit në tregun ndërkombëtar dhe borxhet e mëdha të firmës italiane e detyruan atë të ndalë punën në UFK-në Burrel. Sipas marrëveshjes ishte deklaruar të investoheshin në këtë uzinë 10 milionë euro. Në fazën e parë prej tre vitesh do të realizoheshin 4.5 milionë euro investime në riparimin e furrave ekzistuese, instalimin e impiantit të thërrmimit të ferrokromit, kompletimi i laboratorit kimik, rikonstruksioni i impiantit të përgatitjes së lëndës së parë, investime për rritjen e sigurisë në punë të punonjësve, riparimin e sistemit higjieno-sanitar etj. Jo vetëm këto investime nuk u kryen kurrë, por firma i vuri kyçin uzinës së ferrokromit. Mario Apoloni, drejtori i firmës "Ital Crome", deklaroi në prani të ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, atëherë kur rinisi puna në uzinë edhe fazat e investimeve. Metalurgët shprehen se "Apoloni" nuk ishte ndonjë firmë që duhej vlerësuar nga pala shqiptare. "Nuk e kuptojmë se si këta njerëz që shkatërruan minierën e Bulqizës dhe ferrokromin e Burrelit, u rikthyen si shpëtimtarët e industrisë së kromit duke premtuar investime në Burrel", shprehen ata.                         h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›