Grekët, "jo" sakrificave për të dalë nga kriza
Të paktën dy e treta e grekëve nuk kanë ndërmend të bëjnë sakrifica financiare personale për të ndihmuar qeverinë të gjejë një mënyrë për të dalë nga kriza fiskale. Kështu tregon një sondazh i bërë dhe i shpërndarë në vendin fqinj. Në javët e fundit, vendi që bën pjesë në zonën Euro, tregoi se po përballet me një nga krizat më të këqija në këto vitet e fundit.
Liderët politikë të BE-së dhe shumë shoqëri aksionere i kanë bërë apel Greqisë së zhytur në borxhe që të kërkojë sa më parë daljen nga kjo gjendje për të mirën e të gjithëve. Nga ana tjetër, Papanderu theksoi se kërkon që të rigjallërojë ekonominë, duke ulur rrogat e mijëra punëtorëve të administratave publike, njëlloj siç veproi Irlanda. Por 65,4% e 2200 personave të intervistuar në të gjithë vendin nga agjencia "Metron Analysis" për llogari të së përditshmes "Imerisia", iu përgjigjën se nuk ishin të përgatitur për të bërë sakrifica për të ndihmuar financat publike. Për 63,7% të të intervistuarve, faji i kësaj situate është për t‘iu atribuuar harxhimeve të kota dhe korrupsionit në qeveri. Greqia, që vazhdon të dhunojë rregullat e bilancit të zonës Euro, është goditur nga recesioni i parë në këto 16 vjet. Pavarësisht kësaj, qeveria është angazhuar për të shkurtuar brenda vitit të ardhshëm deficitin e bilancit në 4 për qind, në krahasim me 8.7 për qind të GDP që është aktualisht. Sipas kufirit të BE brenda vitit 2013 kjo shifër duhet të jetë 3 për qind. Qeveria e re socialiste greke fitoi zgjedhjet e 4 tetorit me një program që përfshinte taksat për të pasurit dhe ndihmat për të varfërit, me luftë ndaj evazionit fiskal shpenzimeve publike dhe korrupsionit. Pavarësisht krizës financiare, socialistët kanë një avantazh të dukshëm ndaj konservatorëve në sondazhe, me 38,3% kundrejt 27,9 të "Demokracisë së re", që humbi në zgjedhjet e dy muajve më parë.