E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borxhet e qeverisë te BSH rriten

Borxhet e përgjithshme të qeverisë shqiptare te Banka Qendrore arritën në 75.4 miliardë lekë në muajin nëntor, duke shënuar një rritje prej 0.3 miliardësh, në krahasim me muajin paraardhës dhe rritje prej 11 miliardësh në krahasim me tetorin 2008, kur filloi edhe kriza botërore. Borxhet e qeverisë te BSH u rritën me shpejtësi gjatë vitit të fundit, kryesisht për shkak se qeveria gjeti pak blerës për bonot e thesarit të emetuara gjatë këtij viti. Edhe bankat e nivelit të dytë rritën detyrimet e tyre ndaj BSH në 33.5 miliardë lekë në nëntor, nga 32.5 miliardë që qenë në muajin tetor. Borxhet e bankave të nivelit të dytë kundrejt BSH-së janë akumuluar gjatë vitit të fundit si pasojë e gatishmërisë së Bankës Qendrore për të mbuluar nevojat afatshkurtra të bankave me likuiditet përmes lehtësimit të kushteve. Banka e Shqipërisë bëri të ditur në shtator se po mendonte të fillonte tërheqjen nga stimuli monetar, i cili mund të shkaktojë inflacion në rast se mbahet gjatë. Në tetor, detyrimet e bankave te BSH u ulën ndjeshëm me 3 miliardë lekë, por rifilluan të rriten në nëntor. Gj.E.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›