E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vaksina, në janar 15 mijë doza të tjera

Do të jenë fëmijët, personeli shëndetësor, gratë shtatzëna dhe pacientët kronikë ata që do të marrin të parët vaksinën specifike të gripit të derrit. Pas zhdoganimit të sasive të para, 10 mijë doza, stoku i tyre ndodhet në "inventar" të Institutit të Shëndetit Publik. Por nga sot, sipas Ministrisë së Shëndetësisë do të nisë edhe shpërndarja e vaksinave për grupet prioritare.

"Do të jenë të parët fëmijët, gratë shtatzëna, personeli shëndetësor ata që do të marrin vaksinën. Do të nisë shpërndarja nga sot. Ndërkohë që programi i shpërndarjes, sipas kategorive më të rëndësishme, është miratuar dhe pritet të vihet në zbatim. Sigurisht që nuk do të jetë i gjithë personeli shëndetësor që do të marrë vaksinën, por grupet e mjekëve që janë më pranë me virusin dhe punojnë në shërbimet e infektivit, reanimacionit", tha drejtori i Politikave Shëndetësore, në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. Sipas tij, në fund të vitit, fillim të janarit, pritet të mbërrijnë në vend edhe stoku i dytë i vaksinave specifike të gripit të derrit AH1N1. Do të jenë 15 mijë doza të tjera që do të blihen nga Ministria e Shëndetësisë, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar me firmën farmaceutike hungareze.

Dy ditë më parë është magazinuar në frigoriferët e Institutit të Shëndetit Publik sasia e parë e vaksinës kundër gripit AH1N1. Kjo prej 10 mijë ampulash 0.5 ml, të shoqëruara me shiringat përkatëse, ndodhen nën administrimin e ISHP. Vaksina Fluval P, e prodhuesit hungarez "Omninvest", bën pjesë në listën e tetë vaksinave të licencuara nga agjencia rregullatore e Bashkimit Europian.

Fluval P përmban virusin e inaktivuar dhe adjuvantin me bazë fosfat alumini. Ajo është e prodhuar nga derivate të vezës dhe për këtë arsye nuk jepet te personat me alergji ndaj vezës. Gjithashtu vaksina nuk aplikohet për fëmijët nën 1 vjeç. Për personat mbi 12 vjeç aplikohet dozë e plotë prej 0.5 ml, ndërsa për fëmijët nga 12 muajsh deri 12 vjeç përdoret gjysma e dozës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, nuk ka raporte për efekte anësore të rënda nga kjo vaksinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›