Turizmi shqiptar, rritet volumi dhe të ardhurat neto
Të ardhurat neto të Shqipërisë nga shërbimet e udhëtimeve ndërkombëtare u rritën me 18 për qind në 83 milionë euro gjatë nëntëmujorit të parë të këtij viti, nga 70 milionë euro që ishin gjatë periudhës janar-shtator të vitit 2008, bëhet e ditur nga të dhënat statistikore të Bankës së Shqipërisë. Të ardhurat nga shërbimet e udhëtimit (turizmit) gjatë periudhës janar-shtator arritën në 1.05 miliardë euro në krahasim me 860 milionë euro që qenë një vit më parë, ose me rritje 22.9 për qind. Shpenzimet për udhëtimet që shqiptarët kryen jashtë vendit gjatë kësaj periudhe arritën në 971.3 milionë euro nga 788 milionë që patën qenë një vit më parë. Shpenzimet për udhëtime jashtë vendit patën një rritje spektakolare prej 54 përqindësh në periudhën korrik shtator të këtij viti në krahasim me vitin 2008, pasi një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve i lanë pushimet vjetore për periudhën pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Numri i turistëve që kanë vizituar Shqipërinë gjatë kësaj vere deri në fund të gushtit ishte mbi 2 milionë duke pasur një rritje prej rreth 42.5 për qind më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Por kjo rritje e numrit të turistëve nuk u pasqyrua në të njëjtën masë në sasinë e biznesit të krijuar. Mbi 91 për qind e turistëve, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Turizmit, kanë qenë pushues dhe fare pak kanë mbërritur për qëllime biznesi apo vizita ditore. Shumica dërrmuese e turistëve që vijnë në Shqipëri janë emigrantë që kthehen për pushime apo turistë nga shqiptarët e Kosovës e Maqedonisë. Një pjesë e vogël e turistëve vijnë nga Europa Perëndimore.
Ecuria e turizmit në Shqipëri ka qenë krejt e ndryshme nga vendet fqinje, ku ky sektor ka pësuar rënie dramatike gjatë këtij viti. Greqia, Mali i Zi dhe Kroacia pësuan rënie dyshifrore në numrin e vizitorëve të huaj, kryesisht për shkak të shijes së keqe që kishin krijuar te turistët me çmimet e larta të viteve të shkuara. Disa ekspertë mendojnë se çmimet ende të ulëta të ushqimeve dhe fjetjes në Shqipëri në krahasim me vendet e tjera kanë shtyrë shumë turistë të zgjedhin vendin tonë.
Në krahun tjetër, edhe shqiptarët që zgjodhën vendet e huaja për pushimet e tyre vjetore duket se qenë të shumtë. Sipas të dhënave, shqiptarët shpenzuan jashtë vendit 971 milionë euro në udhëtime nëpër Europë, shifra më e lartë kjo e regjistruar ndonjëherë. Destinacioni kryesor i shqiptarëve për qëllime turistike mbetet Turqia, kryesisht për shkak të lehtësisë së pajisjes me viza.