E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moti i keq paralizon Europën dhe SHBA-në

Moti i keq, i paparë në këto 60 vitet e fundit, përfshiu në fundjavë Europën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shkaktuar kaos dhe tmerr të vërtetë dhe shumë viktima. Mbi 20 persona humbën jetën në Europë dhe 5 në SHBA. Një numër i madh vendesh në kontinentin e vjetër u goditën nga stuhi të forta bore dhe temperatura nën zero gradë, duke paralizuar transportin dhe bllokuar me qindra udhëtarë në prag të festave të fundvitit. Ndërkaq, mendohet se do të nisë sot shërbimi i trenave "Eurostar", që lidhin Parisin me Londrën përmes tunelit të La Manshit. Kështu bëri me dije zëvendësdrejtori i kësaj kompanie, menjëherë pasi kishin qarkulluar lajmet se trenat do të nisnin punën dje në mesditë. Paralizimi i Eurotunelit, që ka mbajtur të bllokuar katër trena dhe më shumë se 2 mijë pasagjerë të cilët për orë të tëra kanë mbetur pa ujë dhe ngrohje, është vetëm një prej pasojave të kohës së keqe që ka përfshirë pothuajse gjithë Europën dhe shumë vende të tjera të botës. Në Poloni, temperaturat shkuan në -28 gradë duke shkaktuar rreth 15 të vdekur. Viktima ka pasur edhe në Republikën Çeke, ku 5 njerëz kanë humbur jetën nga moti i keq. Ndërkaq, edhe SHBA është prekur nga një stuhi e dhunshme dëbore e ardhur nga bregu atlantik, e cila u përplas në pjesën verilindore të vendit, e klasifikuar si një ndër dhjetë më të fuqishmet që kanë goditur ndonjëherë vendin. Guvernatori i Virxhinias, shpalli gjendjen e emergjencës, ndërsa meteorologët thanë se në shumë zona të këtij shteti, bora arriti në 50 centimetra. Transporti publik u ndërpre. Shumë vende mbetën pa energji elektrike, ndërsa linjat ajrore anuluan fluturimet. Kompania amerikane "US Airways" ka anuluar të gjitha fluturimet e saj nga Europa drejt SHBA-së. Aeroportet japoneze dhe pjesa më e madhe e atyre aziatike kanë shtyrë fluturimet drejt shteteve lindore amerikane.

Në Uashington dhe Nju Jork, autoritetet kanë kërkuar borëpastruese shtesë nga shtetet fqinje. Pasoja të rënda pati edhe në nisjen dhe mbërritjen e avionëve në aeroportet e Nju Jorkut dhe Nju Xhersit. Reshjet e fuqishme të borës përfshinë edhe Baltimoren dhe Filadelfian. Uashingtoni po përgatitet për të kaluar dimrin më të keq që prej vitit 2003, kur kryeqyteti u mbulua me 68 centimetra borë. Ndërkaq, edhe vende të tjera në Europë u përfshinë nga bora, duke paralizuar krejtësisht transportin dhe duke bllokuar me qindra udhëtarë në prag të festës së Krishtlindjeve. Në Francë, aviacioni civil kërkoi pezullimin e më shumë se 30 për qind të fluturimeve në aeroportin e Roissyt. Në Mbretërinë e Bashkuar, bora që përfshiu pjesën jugperëndimore dhe veriperëndimore të Londrës, çoi në mbylljen e aeroporteve të Luton (në veri të Londrës) dhe Gatwick (jug). Qindra shkolla mbetën të mbyllura në të gjithë vendin. Megjithatë ngjarja më tronditëse ishte bllokimi i tunelit të La Manshit, me më shumë se 2 mijë pasagjerë të "bllokuar" për gjithë natën, për shkak të problemeve në katër trena. Dy nga "Eurostar"-ët arritën të rimorkioheshin jashtë tunelit, ndërsa pasagjerët e dy të tjerëve u evakuuan. Sipas kompanisë që administron këtë shërbim, ajo që shkaktoi problem me trenat super të shpejtë ka qenë ndryshimi i temperaturës shumë të ulët jashtë tunelit dhe shumë të lartë brenda tij. Ky ndryshim ka shkaktuar dëme në sistemin elektrik të tyre. Trafiku hekurudhor në këtë zonë pritet të nisë punë sot. Edhe për pjesën tjetër të Europës, panorama është thuajse e njëjtë. Belgjika është bllokuar thuajse tërësisht. Në vend janë anuluar të gjitha fluturimet, si pasojë e bllokimit të aeroporteve. Shumë aktivitete, përfshirë ato sportive, janë shtyrë dhe, në një pjesë të madhe të vendit, edhe linjat hekurudhore dhe rrugore janë ndërprerë. Gjysma e Rumanisë është paralizuar nga mungesa e energjisë elektrike, ndërsa Holanda ka regjistruar rekorde historike për sa i përket borës. Në Gjermani termometri shënoi -15 gradë Celsius, ndërsa në Zvicër u regjistrua rekordi i temperaturave me -32 gradë Celsius. Bora e madhe dhe i ftohti përfshiu edhe Ukrainën, duke anuluar thuajse të gjitha fluturimet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›