Nigeri, kamioni përplas turmën e këmbësorëve. 55 të vdekur
Dhjetëra persona kanë humbur jetën në një aksident të rëndë rrugor të ndodhur në Dekian, në shtetin nigerian të Kogit. Një kamion i ngarkuar me çimento ka dalë nga rruga, duke shtypur njerëzit që ecnin në radhë në anë të rrugës, shumë pranë një tregu. "Mundem vetëm të konfirmoj se ka 55 të vdekur. Shoferi i kamionit ka humbur kontrollin e mjetit, që shtypi një numër të madh njerëzish që ecnin përgjatë rrugës", tha një zyrtar i policisë vendase. Për sa i përket numrit të viktimave, sipas burimeve të dhëna nga mjetet e informacionit në vend, kanë qenë të ndryshëm. Megjithatë një gjë është e sigurt, numri i personave të vdekur shkon nga 65 në 90, ndërsa numri i të plagosurve 35, shumë më i lartë nga ajo që raportojnë zyrtarët vendas. Për kreun e policisë rrugore në shtetin e Kogit, Yomi Asaniyan, aksidenti u shkaktua si pasojë e një problemi teknik që kamioni ka pasur me frenat. Autoritetet vendase shpallën tri ditë zie në vend. Dëshmitarët që panë ngjarjen treguan një tmerr të vërtetë. Ata që arritën të shpëtonin ishin ende shumë të tronditur. "Kamioni mori gjithçka që gjeti para. Shumë njerëz mbetën të shtypur në tokë, ndërsa shumë makina morën flakë. Tregu në momentin e goditjes ishte krejtësisht i mbushur me njerëz", tha një dëshmitar. Reporteri i BBC-së në vendngjarje raporti për më shumë se 100 të vdekur. Incidente të tilla, kaq të rënda, janë shumë të shpeshta në Nigeri, ku gjendja infrastrukturore është shumë e keqe. Sipas agjencisë shtetërore për sigurinë rrugore, çdo muaj në rrugët e qyteteve nigeriane viktimat janë më shumë se 400. Ky është aksidenti i dytë tragjik brenda javës në vend. Më 14 dhjetor, 23 persona humbën jetën nga përplasja mes një autobusi dhe një kamioni në zonën jugperëndimore të vendit. Në tetor rreth 80 persona humbën jetën në jug për shkak të një shpërthimi të një autocisterne të mbushur me karburant.