E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, 17 persona të infektuar me virusin e Nilit Perëndimor

ATHINE-17 persona janë konfirmuar deri sot në Greqi,të infektuar mevirusin e Nilit Perëndimor, 4 prej të cilëve në zonën e Atikës dhe veçanërisht në zonën e Maratonës. Banorët e Maratonës janë udhëzuar të qëndrojnë në shtëpi për të mos u ekspozuar kundrejt kimikateve, që do të spërkatin zonën gjatë këtyre ditëve.
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka kërkuar që në mënyrë urgjente Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut të shtojë masat duke kontrolluar njësitë e gjakut që janë grumbulluar në prefekturat e Karditsas, Larisas, Imathias e Selanikut. Gjithashtu është urdhëruar ndalimi i përdorimit të plazmës, që është mbledhur deri në 15 korrik të këtij viti.
Autoritetet shëndetësore kanë urdhëruar "karantinë" 28 ditore për donatorët e gjakut, të cilët banojnë apo kanë vizituar zonat, ku ka shpërthyer virusi.Në gjithë Greqinë janë hapur 100 qendra observatore për mushkonjat që bartin dhe përhapin këtë virus.
Virusi i Nilit Perëndimor përcillet nëpërmjet kafshimit të mushkonjës së infektuar, transfuzionit të gjakut dhe jo nga njeriu tek njeriu. Në një përqindje të vogël, ai mund të shkaktojë komplikime në sistemin nervor qendror, si encefalit ose meningjit, ndërkohë që shumica e pacientëve kanë simptoma më të lehta. Simptomat përfshijnë ethe, dhimbje koke të lartë, apati, të dridhura, konvulsione, dobësi të muskujve dhe paralizë. Pas kafshimit të mushkonjës, deri në shfaqjen e tyre, duhen zakonisht nga 2 deri në 14 ditë.
Në Greqi në muajt e verës së vitit të kaluar u infektuan rreth 250 persona, nga të cilët 35 vetë, kryesisht të moshuar gjetën vdekjen. Mjekët japin këshilla për mbrojtjen nga mushkonjat, të cilat janë shkaku i përhapjes së këtij virusi të rrezikshëm, që është quajtur me këtë emër, për shkak se u njoh së pari në provincën e Perëndimit Nilit në Ugandë në vitin 1937.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›