E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, 3 shqiptarë arratisen nga rajoni i policisë

Nga Aleksandër Marku
3 shtetas shqiptarë të arrestuar për vjedhje, janë arratisur nga dhomat e paraburgimit në rajonin e policisë në Thiva. Ata ishin transferuar atje, ku më pas do të çoheshin në Prokurorinë e qytetit për tju dhënë dënimi. 

GREQI- Policia greke ka bërë të ditur sot në mesditë se tre shtetas shqiptarë që ishin arrestuar për akuzën e vjedhjeve, janë arratisur në mëngjesin e sotëm nga dhomat e paraburgimit në rajonin e policisë në Thiva.
Sipas deklaratës për shtyp të Drejtorisë së Policisë, tre personat ishin transferuar në rajonin e policisë prej ditës së mërkurë dhe do të çoheshin në Prokurorinë e qytetit për t’ju dhënë dënimi, ndaj veprave penale që kishin kryer.
Detaje të hollësishme për mënyrën e arratisjes së tyre nuk jane dhënë, por thuhet se ata kanë prerë hekurat e dritares së qelisë me një sharrë të vogël hekuri, e cila nuk dihet se si ka mbërritur në duart e tyre.
Ministri i Brendshëm grek Prokopis Pavllopulos urdhëroi hapjen e menjëherëshme të hetimeve, ndërsa shkarkoi nga detyra shefin e rajonit dhe oficerin e rojës.
Madje organet greke, kanë urdhëruar menjëherë hapjen e një hetimi përkatës për katër policët e shërbimit, ndaj të cilëve tashmë rëndon akuza e moskryejres së detyrës.
Ministri grek i Brendshëm që ka dhënë urdhër për hapjen e këtij hetimi ka pezulluar nga puna njëkohësisht katër policët si dhe shefin e rajonit të policisë.
Sipas mediave greke tre të arratisurit i përkisnin një grupi prej 11 personash të gjithë shqiptarë, të arrestuar për vjedhje të ndryshme dhe bastisje në zonën e Greqisë qendrore.
Madje karakteristikë e këtij grupi ka qenë se ishte i përbërë nga persona tepër të rrezikshëm, ashtu siç i kanë cilësuar organet greke të rendit.
Tashmë është në zhvillim një operacion i policisë greke për kapjen e tyre dhe për këtë janë lajmëruar edhe doganat greke si dhe autoritetet shqiptare. Identiteti i tyre nuk bëhet I ditur, por thuhet se janë të moshave nga 22 deri në 30 vjec. (a.r/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›