Shteti dhe roli i Prokurorisë
Në kontekst të Forumit të djeshëm të “Shekulli”-t: “A është kjo Prokuroria që na duhet?”
Punoj që prej vitit 1993 me detyrën e prokurorit dhe përvoja relativisht e gjatë në këtë organ më ka bërë të kuptoj gjithmonë e më shumë natyrën e funksioneve të tij. Sipas meje, Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës Penale i kanë njohur institucionit të Prokurorisë rolin e një organi, i cili garanton ushtrimin e ndjekjes penale, duke respektuar të drejtat e individit.
Kjo do të thotë se institucioni i Prokurorisë nuk duhet konceptuar në mënyrë të ngushtë, si një institucion që siguron thjesht dhe vetëm ushtrimin e ndjekjes penale. Ky lloj konceptimi i cunguar i Prokurorisë, pa përfshirë në të edhe detyrimin që ajo duhet të ketë për respektimin e të drejtave të individit, do ta shndërronte Prokurorinë në një organ të tepërt, pasi do të mjaftonte që ndjekja penale të ushtrohej direkt nga organet e policisë.
Parashikimi në strukturën shtetërore edhe i institucionit të Prokurorisë, ka arsyet e veta historike, të cilat lidhen pikërisht me nevojën për garantimin e qytetarëve se ata që do të hetohen nga policia nuk do të paraqiten në Gjykatë për t'ju përgjigjur akuzave në ngarkim të tyre, nëse akuzat nuk do t'u bëhen të njohura paraprakisht, nëse nuk do t'u jepet një mundësi për t'u mbrojtur me avokat, dhe nëse akuzat nuk do të jenë të provuara sipas disa rregullave të përcaktuara rigorozisht në Kodin e Procedurës Penale.
Prokuroria është pikërisht institucioni, i cili verifikon nëse janë respektuar nga ana e policisë të gjitha këto garanci e të tjera si këto dhe që parashikohen në Kushtetutë dhe në mënyrë më të detajuar në Kodin e Procedurës Penale.
Lidhur me vendin e Prokurorisë në organizimin shtetëror, do të thosha se duke qenë se policia është organ që i përket qeverisë, institucioni i Prokurorisë, normalisht ndihet më komod në kryerjen e rolit të vet si garanci ndaj qytetareve, kur ai nuk është "palë" me policinë, në kuptimin që ai si institucion nuk ka lidhje varësie nga organet e qeverisë. Varësia ndaj qeverisë do ta kompromentonte funksionin e tij garantues, pasi do të trondiste besimin e qytetarëve tek Prokuroria, duke e perceptuar atë si një organ që favorizon veprimet e policisë edhe kur ato vijnë ndesh me të drejtat dhe liritë e individit.
Është e vërtetë se ka modele organizimi shtetëror edhe në vende me demokraci të zhvilluar, ku Prokuroria është konceptuar si një organ në varësi të qeverisë. Por, zbatimi i këtij modeli për kushtet e vendit tonë, mendoj se është i parakohshëm.
Së pari, modeli i një Prokurorie "brenda ekzekutivit", apo në varësi të tij, mund të aplikohet në ato vende ku ndarja e pushteteve jo vetëm është kuptuar drejt, por ka një praktikë të gjatë zbatimi dhe, për pasojë, fenomenet e ndërhyrjes së një pushteti tek tjetri nuk përbejnë një shqetësim serioz.
Kurse në Shqipëri, pas rrëzimit të regjimit totalitar,orientimi decentralizues i pushteteve po zhvillohet në kushtet e një mungese kulture demokratike. Ky faktor historik, normalisht ka prodhuar edhe fenomenin
negativ të luftës mes përfaqësuesve të tre pushteteve për të “rrëmbyer” sa më shumë pushtet nga pushtetet e tjera. Prandaj, përfshirja e Prokurorisë në ekzekutiv, do të nënkuptohej, qoftë nga publiku, qoftë nga vetë
përfaqësuesit e ekzekutivit si një asimilim të pushtetit të saj.
Së dyti, modeli i Prokurorisë brenda ekzekutivit, edhe në ato vende që e aplikojnë, asnjëherë nuk është konceptuar si një varësi e prokurorit nga qeveria, në raport me rolin e vet të ndjekjes penale. Këto modele parashikojnë një "varësi" të prokurorit nga qeveria vetëm për disa raste tepër specifike lidhur me iniciativën e tij për të ushtruar ndjekjen penale. Por, këto raste, jo vetëm janë tepër përjashtimore nga rregulli i pavarësisë së Prokurorisë për ushtrimin e ndjekjes penale, por këto raste, në praktikë gjejnë zbatim tepër rrallë, pikërisht për shkak të kulturës demokratike të praktikuar për një kohë të gjatë dhe tepër të stabilizuar.
*Autori mban detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme