Greqi/ Goditet banda e grabitësve,tre shqiptarë
ATHINE - Policia e Athinës ka goditur dje një grup grabitësish, mes të cilëve kishte edhe elementë shqiptarë. Lajmi u bë i ditur nga burime mediatike të shtetit fqinj, sipas të cilave policia e kryeqyteti grek kishte prangosur dje 5 persona të akuzuar për grabitje. Burimet pohonin goditjen e një organizate kriminale shqiptaro-gjeorgjiane. Behet e ditur se operacioni policor është zhvilluar në lagjet "Kolono", "Shën Pandeleimon" dhe në "Eleniko". Burimet nuk bënin të ditur identitetin e personave të arrestuar, ndërsa mesohet se tre prej tyre i përkisnin kombësisë shqiptare. Po sipas burimeve, ndalimi i pjesëtarëve të grupit të keqbërësve është realizuar pak përpara se ata të ndërmerrnin një goditje të radhës. Autoritetet policore të Athinës pohonin se grupi ishte i dyshuar për një sërë veprash penale, kryesisht grabitje me dhunë. Mediat e vendit fqinj saktësonin dje se gjatë kontrolleve të kryera në banesat e të arrestuarve janë sekuestruar armë, sende të vjedhura, si edhe një sasi prej 30 kilogramë lëndësh narkotike, e llojit heroinë. Sipas burimeve, hetimet për grupin në fjalë kishin nisur disa muaj më parë nga ana e organeve kompetente të shtetit grek.