Greqi, Karamanlis: Ruani qetësinë, nëse vazhdojnë sulmet do paguani me taksa

Kryeministri grek, Kostas Karamanlis, ka dalë në televizionin vendas ku ka bërë thirrje për qetësi, në kohën që vendi hyri në ditën e tretë të protestave nga ana e anarkistëve dhe studentëve. Protestat u nxitën nga vrasja e një djali 15 vjeçar që u qëllua nga policia në Athinë ditën e shtunë. Komentet e Karamanlis vijnë në kohën kur vazhdonin protesta të tjera të dhunshme në Athinë, Selanik dhe qytetin Trikala. Kostas Karamanlis që përballet me sfidën më të vështirë të karrierës së tij politike, i bëri thirrje vendit për qetësi, unitet dhe një sens solidariteti me familjen e djalit të vrarë ditën e shtunë. Por pyetja e madhe është nëse ndonjë i kushtoi vëmendje. Një grup do ta ketë dëgjuar, është ai i biznesmenëve të vendit, që janë tmerruar nga dëmet e shkaktuara në rrugët me dyqane në mbarë vendin. Në mënyrë të veçantë bankat kanë qënë të sulmuara. Kryeminstri dënoi sulmet mbi pronën si të pajustifikuara dhe tha se i ka kërkuar ministrit të Ekonomisë që të sigurojë se ata që kanë pësuar dëme do të kompensohen. Po mesazhi i pathënë për grekët në përgjithësi ishte, se nëse nuk ndalni sulmet do të paguani për to përmes taksave. Por kur ai po fliste, trazirat për përhapeshin. Nxënësit e shkollave dolën në rrugë për të protestuar ndaj vrasjes së të riut që tani konsiderohet si dëshmor i gjeneratës së tyre. Ata i bënë qëndresë policisë jashtë parlamentit dhe morën kontrollin e një rajoni policie në Pire'. Ata iu bashkuan studentëve të Selanikut që hodhën gurë dhe shishe me benzinë mbi policinë. Demonstrata të tjera janë parashikuar në qytetet kryesore dhe autoritetet po përgatiten për më të keqen. Në Gjermani dhjetra demonstrues pushtuan konsullatën greke në Berlin, ku hoqën flamurin grek dhe e zëvendësuan atë me një banderolë ku shkruhej, Greqia 'shtet vrastar'.