Greqi, Karamanlis mbledh qeverinë për masa emergjente
Protestat në Greqi nuk kanë ndër mend të ndalen, madje të rinjtë grekë kërkojnë të hapin valën e tyre në të gjithë Evropën, duke nxitur mbledhjen emergjente të qeverisë greke. Kryeministri grek, Kostas Karamanlis ka nisur konsultimet me përfaqësues të lartë zyrtarë të kabinetit të tij për rikonstruktimin e Qeverisë. Protestat e djeshme kanë qenë të dhunshme me shpërthime në disa lagje të Selanikut dhe në disa banka. Protestuesit kanë varur dy banderola gjigande në Akropolis, në të cilat ishte shkruar kërkesa për demonstrata masive përreth Evropës dhe “rezistencë” edhe tashmë, që kanë kaluar 12 ditë që nga vrasja e 15-vjeçarit nga një oficer policie, i cili u bë shkak për protestat e dhunshme që mbërthyen të gjithë Athinën. Rreth dymbëdhjetë protestues varën banderolat rozë në muret e fortesës antike, monumenti më i famshëm në Greqi, ku një nga banderolat mbante fjalën “Rezistencë” të shkruar me shkronja të zeza në katër gjuhë të botës: greqisht, anglisht, spanjisht dhe gjermanisht. Shkrime të tjera bënin thirrje për demonstrata masive rreth Evropës të enjten. Banderolat u hoqën pas dy orësh. Qeveria greke ka reaguar pas këtij veprimi, duke e quajtur atë të pajustifikueshëm. “Nuk mund të ketë justifikim për këtë veprim. Kjo dëmton imazhin e vendit tonë jashtë kufijve, është e papranueshme”, tha zëdhënësi i qeverisë, Evangelos Antonaros. Demonstratat e ditës së sotme janë planifikuar në Athinë dhe Selanik. Protestat duket se nuk kanë në plan të ndalen. Tashmë të rinjtë protestojnë edhe ndaj pakënaqësisë për qeverisjen e konservatorëve me kushtet e rënda ekonomike dhe papunësinë. Në Janinë rreth 50 të rinj kanë pushtuar bashkinë, ndërsa shkollat dhe universitetet në mbarë vendin vazhdojnë të jenë të mbyllura dhe gjenden të rrethuara.