E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, kundër trenit serb brenda territorit

 

Qarkullimi i trenave serbë në territorin e Kosovën, që prej të shtunës ka ngritur shqetësime për autoritetet e Prishtinës, por edhe UNMIK-un, i cili thotë se Beogradi nuk e ka marrë lejen e OKB-së për një veprim të tillë. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksandër Ivanko, tha për BBC se “Beogradi nuk ka diskutuar për këtë çështje me UNMIK-un dhe ne na vjen keq për këtë. Nuk kemi qenë të informuar që ky tren do të vinte në Kosovë”, tha ai. Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, ka propozuar bisedime ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për çështjen e transportit për të siguruar lehtësim të qarkullimit të njerëzve dhe mallrave ndërmjet dy vendeve, dialogu nuk është zhvilluar ende. Pra, nuk ka një marrëveshje që do të lejonte hyrjen e lirshme të trenave të Serbisë në Kosovë. Institucionet e Prishtinës nuk mund të bëjnë asgjë, pasi ende nuk arrijnë të kenë autoritet në veri të Kosovës. Deri para ardhjes së EULEX-it, përgjegjësia e hekurudhave në veri ka qenë e UNMIK-ut. Tashmë  pas kalimit të kompetencave në fushën e sundimit të ligjit nga UNMIK-u tek EULEX-i, nuk është e qartë se kush është përgjegjës për transportin hekurudhor në Kosovën Veriore. Shefi i misionit EULEX, Yves de Kermabon, tha se lidhur me hyrjen e trenit nga Serbia në Kosovë duhet të pyetet UNMIK-u. Ndërsa zëdhënësi i UNMIK-ut tha se: “Meqenëse ne nuk e administrojmë më Kosovën, nuk kemi funksione ekzekutive dhe nuk do të kemi policë të UNMIK-ut në terren, kjo është çështje që duhet të diskutohet”. Ministri kosovar i Transportit dhe Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, tha për BBC se ndërhyrjet e fundit të hekurudhave të Serbisë në ato të Kosovës janë vazhdimësi e reagimit të serbëve ndaj shpalljes së pavarësisë. Ministri Limaj tha se përmes një letre do të kërkojë nga autoritetet e EULEX-it dhe Ministria e Punëve të Brendshme, që të mos lejojnë ndërhyrje të tilla të hekurudhave të Serbisë pa lejen e autoriteteve kosovare. Ndërsa Sekretari Shtetëror në Ministrinë Serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç, tha për BBC-në se: “Kosova është pjesë e territorit të Serbisë sipas Kushtetutës sonë. Hekurudhat e UNMIK-ut kanë pasur marrëveshje me hekurudhat e Serbisë, prandaj në aspektin e së drejtës jemi brenda rregullave”, tha ai. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›