E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, MEICO padi Prokurorisë

 

Fatos Mahmutaj

Bilanci vjetor i kompanisë “Meico” zhbllokon të gjitha praktikat, asetet, dokumentacionin dhe llogaritë e ngrira pas ngjarjes së Gërdecit. Kërkesë-padia e kompanisë shtetërore të menaxhimit të shitjes së armatimit, municioneve dhe pajisjeve ushtarake, i është drejtuar Gjykatës së Tiranës për të hequr sekuestrot e vendosura nga organi qendror i akuzës, në mënyrë që të bëjë bilancin vjetor të punës. Padia e kompanisë së Ministrisë së Mbrojtjes pas procedurave të shortit elektronik i është dorëzuar gjyqtarit Asim Vokshi, gjykatës, i cili më parë kishte shqyrtuar masat e sigurisë për të pandehurit e dosjes “Gërdeci”, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Dritan Minxolli si dhe dy të pandehurve të tjerë që hetohen në gjendje të lirë, masa këto të vendosura më datë 22 mars të këtij viti. Po ky gjykatës më datë 28 mars të këtij viti ka vendosur sekuestro dhe ngrirje mbi të gjitha pasuritë e Delijorgjit, si dhe llogaritë, asetet dhe dokumentacionin e kompanisë shtetërore “Meico”. Kjo për faktin se “Meico” kishte lidhur “kontratën e vdekjes” me një kompani amerikane, e cila kishte pajtuar nga ana e vet kompaninë e Delijorgjit si nënkontraktore.
Bllokimi
Për tetë muaj me radhë kompanisë shtetërore të Ministrisë së Mbrojtjes iu desh të mos kryente asnjë veprim me llogaritë bankare dhe dokumentacionin, ndërsa i kishte kërkuar Prokurorisë lirimin e tyre, pasi hetimet kanë shkuar drejt fundit dhe nuk kanë nxjerrë lidhje me ngjarjen e Gërdecit. Edhe pas kësaj organi i akuzës ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë, ndërsa ka detyruar “Meicon” t’i drejtohej togave të zeza. Padia u shqyrtua nga gjykata e kryeqytetit më datë 12 dhjetor dhe me një seancë të vetme u vendos pranimi i kërkesës së “Meico”-s.
Procesi
Menjëherë pasi e mori në dorë gjyqtari Vokshi, pasi dëgjoi pretendimet e juristëve të palës paditëse dhe përfaqësuesin e palës së paditur, vendosi zhbllokimin e “Meico”-s në mënyrë që kjo kompani të ketë mundësi për të bërë bilancin vjetor të punës dhe të vazhdojë transaksionet dhe procedurat e ndryshme me bankat dhe palët e tjera me të cilat ka marrëveshje. Gjithashtu zhbllokimi i dokumentacionit i jep mundësinë kësaj kompanie për të vazhduar aktivitetin në lidhjen e kontratave të reja si dhe kryerjen e shitjeve të materialeve ushtarake subjekteve të ndryshme. Burime nga procesi pohojnë se një nga argumentet e paraqitura nga pala paditëse në proces ishte edhe fakti se, “Meico” si kompani shtetërore e kishte të detyrueshëm nxjerrjen e një bilanci vjetor për të përcaktuar efektivitetin e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›