Vrasja e Petrit Keçit, 78 vjet burg autorëve
ITALI – Drejtësia italiane ka dënuar dje me një total prej 78 vjetësh burg tre shqiptarë të akuzuar për vrasjen dhe më pas djegien e bashkëkombësit të tyre Petrit Keçi. Ngjarja ku është vrarë mizorisht Keçi ka ndodhur në fshatrat e Akuiviva Picenas në 25 janar të këtij viti. Gjykata e Askolit ka shpallur dje fajtorë tre të akuzuarit për eliminimin e personit që “u kishte hyrë në pjesë” në bizneset e shfrytëzimit të prostitucionit. Sipas vendimit të dhënë prej saj, Ervis Çela dhe Fatos Hiceni u dënuan me nga 30 vjet heqje lirie, ndërsa Ardian Çela, vëllai i Ervisit me 18 vjet burg. Verdikti i gjykatës ka shmangur burgimin e përjetshëm për Ervis Çelën dhe Hicenin, dënim i kërkuar nga prokuroria një javë më parë gjatë dhënies së pretencës. Ndërsa mbrojtësit ligjorë të tre shqiptarëve pretenduan pafajësi për klientët e tyre, pasi sipas tyre prokuroria zotëronte vetëm indice dhe jo të prova të qarta për përfshirjen e tyre në vrasje. Bëhet e ditur se shqyrtimi gjyqësor në ngarkim të tre shqiptarëve u zhvillua me kohë të shkurtuar. Vrasja e cilësuar nga mediat e vendit fqinj si “eliminim tipik mafioz” u përcoll me shumë bujë në vendin fqinj. Trupi i Keçit u gjet i karbonizuar në 25 janar të këtij viti në një ndërtesë në Akuiviva Picena, në provincën e Askolit. Autopsia tregoi se përpara se të digjej viktima ishte qëlluar 6 herë me pistoletë në kokë. Që në momentet e para policia ngriti dyshimet e një eliminimi për “larje hesapesh”. Pasi arritën të identifikonin viktimën si Petrit Keçi, autoritetet italiane siguruan edhe tre fletë-arrestet për vëllezërit Çela dhe Hiceni. Në 26 janar prangoset Ervis Çela dhe 4 ditë më pas edhe vëllai i tij Ardian. Ndërsa Hiceni ka rënë në pranga në 8 shkurt në Spanjë, pasi ndaj tij kishte dalë një urdhër arresti ndërkombëtar. Sipas policisë italiane, të sipër përmendurit kamufloheshin në zonë si muratorë, ndërsa në të vërtetë drejtonin një rrjet të shfrytëzimit të 10 prostitutave. Ndërsa Petrit Keci, vetëm tre muaj pas mbërritjes në Itali kishte tentuar të futej në zonën e tyre të trafikut. ar.ba