Kriza, IOM: Emigrantët pjesë e zgjidhjes
TIRANE - Në Ditën Ndërkombëtare të Migrantëve (18 dhjetor), Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) është shprehur se emigrantët duhen parë si pjesë e zgjidhjes së krizës ekonomike që po kalon bota. “Qeveritë duhet të njohin kontributin pozitiv që kanë mundësi të japin emigrantët për ripërtëritjen dhe rritjen ekonomike në vend dhe, për këtë arsye, duhet t’u hapin dyert atyre gjatë periudhave të rënieve ekonomike. Në të njëjtën kohë, vendet e origjinës kanë një përgjegjësi akoma më të madhe për të informuar qytetarët e tyre mbi realitetet e migracionit të rregullt dhe të parregullt dhe për të bashkëpunuar sa më ngushtë që të jetë e mundur me vendet e destinacionit dhe shoqëritë përkatëse për t’u siguruar që migracioni të jetë në dobi të të gjitha palëve. Ulliam Lejsi Suing (William Lacy Swing), Drejtor i Përgjithshëm i IOM-it, thotë se kriza ekonomike nuk duhet të përdoret si mjet për të shfrytëzuar emigrantët në sektorin informal nëpërmjet uljes apo mosdhënies së pagave, abuzime këto me të cilat emigrantët e parregullt në veçanti hasen në mënyrë të rregullt. Për më tepër, mbyllja e dyerve ndaj emigrantëve do të ketë ndikim negativ çdo vit në dërgesat në para drejt vendeve në zhvillim, të cilat në fakt kanë qenë në rritje nga viti në vit”.