Vetëvrasja, hidhet nga kati i pestë në Tiranë vajza e paidentifikuar
TIRANE – Një vajzë ende e paidentifikuar është hedhur dje nga dritarja e shesh-pushimit në katin e pestë të një pallati pranë Librit Universitar. Ngjarja ndodhi rreth orës 10:30 në rrugën “Vaso Pasha” në Tiranë, kur vajza e paidentifikuar ka rënë në trotuar nga dritarja e katit të pestë e një pallati aty pranë. Sipas dëshmitarëve, viktima ka pësuar dëmtime të rënda, ndërsa një autoveturë e dërgoi atë për në Spitalin Ushtarak në kryeqytet për ndihmën e shpejtë. Nga hetimet e para të policisë është ngritur dyshimi se vajza mund të ketë qenë e papunë dhe në gjendje depresioni, për shkak se pranë saj u gjet një gazetë me njoftime për vende të lira pune. Mjekët thanë se gjendja e vajzës ishte e rëndë kur mbërriti në spital, për shkak të plagëve të rënda të marra nga përplasja në trotuar. Pavarësisht ndihmës së mjekëve, rreth orës 14:00 ajo ka ndërruar jetë duke mos mundur t’i mbijetonte dëmtimeve. Nga dëshmitë e mbledhura, policia ka mësuar se vajza ishte hedhur nga kati i pestë i një pallati, pranë kryqëzimit të rrugës “Vaso Pasha” me rrugën “Abdyl Frashëri” tek Libri Universitar. Sipas dëshmive, vajza ishte ngjitur në katin e pestë të pallatit. Më tej ajo ka dalë në dritaren e sheshpushimit dhe që andej është hedhur poshtë. Banorët thanë se vajza është dërguar në Spitalin Ushtarak në kryeqytet nga një automjet që po kalonte aty kur drejtuesi i saj pa viktimën e rrëzuar përtokë. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, policia ka vënë re njolla gjaku. Sipas hetuesve, vajza ka rënë ndenjur në trotuarin përballë pallatit, duke pësuar dëmtime të rënda si pasojë e lartësisë nga e cila ishte hedhur. Nga deklarimet dhe dëshmitë e mbledhura prej policisë, është mësuar se vajza është vetëhedhur duke u përpjekur të kryente vetëvrasje. Policia ka gjetur në vendin e ngjarjes edhe një gazetë njoftimesh për vende pune. Dyshohet se këtë gazetë vajza e paidentifikuar e kishte blerë për të gjetur punë. Ndërkaq efektivat e policisë nuk kanë gjetur asnjë dokument identifikimi të vajzës, çka ka vështirësuar dukshëm identifikimin e saj. Blutë kanë pyetur disa banorë të zonës për të mësuar emrin e viktimës, por askush nuk ka marrë përsipër të pohojë se e njihte viktimën. Kjo ka vështirësuar punën e hetuesve për të gjetur edhe shkaqet e mundshme të vetëvrasjes apo edhe emrin e viktimës së ngjarjes. Trupi i vajzës së paidentifikuar është dërguar në morgun e Tiranës, ndërsa ekspertët kanë përcaktuar si shkak të vdekjes traumat e pësuara nga përplasja me trotuarin. d.b
Identifikimi
Ja të dhënat e viktimës
TIRANE – Me qëllimin për të identifikuar vajzën e hedhur nga lartësia paraditen e djeshme, policia ka publikuar të dhënat e saj. Sipas policisë, vajza është e moshës rreth 25-35 vjeçe me flokë të zinj të hedhur deri në supe. E vetëvrara në momentin e ngjarjes mbante veshur një palë pantallona xhinse në ngjyrë blu dhe një palë atlete me ngjyrë të zezë. Ajo kishte veshur një triko të zezë, ndërsa mbante një shall në ngjyrë jeshil dhe një xhup po të zi. Sipas policisë, pranë viktimës është gjetur edhe një çantë e zezë. Blutë nuk kanë gjetur aparat telefoni apo kartë të ndonjë prej kompanive telefonike, për të krijuar sadopak një mundësi identifikimi. Policia ka kërkuar që personat që kanë interes të telefonojnë në numrin pa pagesë 129, ose të marrin kontakt me shërbimet e policisë.