E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, Lambrinidis para vizitës në Kosovë: Mbështesim dialogun

ATHINE- Para vizitës së tij në Kosovë, ku do të mbërrijë nesër, pas vizitave në Zagreb e Beograd, ministri i Jashtëm grek Stavros Lambrinidis, ka deklaruar se Greqia nuk ndodhet në ndonjë presion për të njohur Kosovën, por se mbështet zhvillimin e dialogut Prishtinë-Beograd.

“Greqia synon energjikisht për afrimin e të dyja palëve dhe mbështet dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe të bashkëpunimit rajonal janë të një rëndësie të madhe” – është shprehur Lambrinidis në një intervistë, duke vijuar se “Greqia i ka bërë këto parime një politikë gur themeli në Ballkan dhe natyrisht këto parime duhet të zbatohen edhe në Kosovë”.

Ministri i Jashtëm grek theksoi se “dialogu i nxitur nga BE-ja në mes të Beogradit dhe Prishtinës është i një rëndësie të madhe. Ne i inkurajojmë të dyja palët të vazhdojnë përpjekjet e tyre dhe ne jemi optimistë për progresin. Politika jonë në rajon bazohet në vizionin për një mjedis të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit për të gjithë popujt që jetojnë aty”.

Në Prishtinë, ku do të jetë nesër, z. Lambrinidis do të takohet me kryeministrin kosovar Hashim Thaçi dhe do të vizitojë Manastirin e Graçanicës, ku do të takohet me Peshkopin e Rashkës dhe Prizrenit Theodosio.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›