E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyseni i përgjigjet Jeremiçit: “Statusi, çështje e përfunduar”



Blerina Olldashi
Ministri i jashtëm i Kosovës Skënder Hyseni i është përgjigjur negativisht kërkesës së ministrit të jashtëm serb Vuk Jeremiç për rifillimin e bisedimeve për statusin. Hyseni tha se çështja e statusit të Kosovës është e përfunduar dhe pretendimet për rihapjen e negociatave për këtë çështje janë mision i humbur. “Nuk ekziston mundëia që të rihapen negociatat për statusin e Kosovës. Vendi ynë është njohur nga 62 shtete dhe pritet të ketë njohje të tjera së shpejti. Kosova po konsolidohet në institucionet ndërkombëtare, anëtarësimi në FMN dhe në Bankën Botërore dhe të gjitha këto janë tregues të saktë dhe të besueshëm se pavarësia e Kosovës është në rrugë njëkahëshe dhe pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm”,- tha ministri Hyseni në një intervistë për agjencinë e lajmeve BBC.
Megjithatë ministri kosovar nuk përjashton mundësinë e bisedimeve me Beogradin zyrtar lidhur me çështjet e interesit të përbashkët, por vetëm si dy vende të pavarura dhe sovrane.
“Kosova mbetet e hapur për bisedime, për dialog jo vetëm me Serbinë por edhe me të gjithë fqinjët e tjerë për shumë çështje të interesit të ndërsjellë si shtete të pavarura dhe sovrane. Ne shpresojmë se në Beograd do të kuptohet kjo shpejt, do të kuptohet nevoja dhe domosdoja e bisedave me Prishtinën për çështje të interesit të përbashkët, natyrisht gjithmonë si dy shtete të pavarura dhe sovrane”,- u shpreh Hyseni. Njohja e Kosovës nga Serbia sipas tij do të ndikonte pozitivisht në rajon dhe do të ishte në interes të thellë edhe të Serbisë. Ministri i jashtëm i Kosovës e ka cilësuar si të rrezikshme, të dëmshme dhe me efekte negative për gjithë rajonin edhe idenë e ndarjes së Kosovës. Deklaratat e tij pasuan qëndrimin e ministrit të Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, se e vetmja rrugëdalje për zgjidhjen e çështjes së Kosovës janë negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës. “Kosova nuk është në gjendje pezull dhe asnjëherë ajo nuk do të pranojë që të negociohet për sovranitetin dhe pavarësinë e saj. Sa më parë që të kuptohet kjo në Beograd ju siguroj që është më mirë për marrëdhëniet mes dy shteteve tona, ju siguroj se është më mirë për raportet e përgjithshme në Ballkanin Perëndimor dhe është më mirë edhe për popujt e vendeve tona”,- u shpreh ministri Hyseni, i cili me këtë rast vlerësoi se Beogradi duhet ta njohë Kosovën sa më shpejt. “Gjëja më e mirë do të ishte që Beogradi ta njihte pavarësinë e Kosovës. Por kjo është çështje që mbetet në diskrecion të thellë dhe të plotë të qeverisë serbe të vendosë. Ne natyrisht do të mirëprisnim njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Por të pretendosh se do të organizohet, do të sajohet një proces i ri negociator kjo është e pamundshme”,- u shpreh ministri i jashtëm i Kosovës Skënder Hyseni.

29 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›