Greqi, PASOK refuzon ofertën e Sirizës, mandati shkon te Venizelos

Aleksis Tsipras, kreu i Sirizës, i cili mori mandatin për formimin e qeverisë nga Antonio Samaras, i paraqiti liderit të PASOK, ofertën për ndërtimin e koalicionit qeverisës. Ndër kushtet e paraqitura në tryezë, ishte ai i daljes së vendit nga eurozona si dhe refuzimi i kushteve të vendosura nga Bashkimi Evropian. Oferta është hedhur poshtë nga Venizelos dhe mandati për nisjen e negociatave, kalon pikërisht tek lideri i PASOK
Athinë- Partia Socialiste e Greqisë, PASOK, ka refuzuar që të formojë një koalicion qeverisës me
partinë e majtë Siriza, duke rritur mundësinë që zgjedhjet e reja të shpallen në muajin e ardhshëm.
Greqia zhvilloi zgjedhjet parlamentare të dielën, në të cilat dy partitë në pushtet, PASOK dhe Partia Konservatore Demokracia e Re, pësuan humbje krahasuar me zgjedhjet paraprake.
Partitë radikale të djathta e të majta kanë shënuar fitore.
Ndërkohë që, negociatat për formimin e koalicionit të ri qeverisës kanë ngecur.
Mediat greke bëjnë me dije se kreu i Siriza, Aleksis Tsipras do të dorëzojë nesër mandatin për krijimin e qeverisë, mandat i cili rikthehet tek Venizelos i cili do të përpiqet të ri-gjejë edhe njëherë konsensus për krijimin e qeverisë së re në Greqi.
Në të kundërt, Greqia do t’i drejtohet zgjedhjeve të reja parlamentare në muajin qershor ose korrik.
Kronika/Kreu i PASOK, Venizelos: Tsipras i kërkova krijimin e një qeverie pro-evropiane
Greqia hyri sot në ditën e dytë të negociatave në përpjekje për formimin e qeverisë së re.
Kreu i Syriza Aleksis Tsipras është takuar sot pasdite me liderin e PASOK Evangelos Venizelos.
Pas takimit që zgjati rreth një orë, Venizelos deklaroi se në bisedime kishte kërkuar garanci nga Tsipras për qëndrimin e vendit në Eurozonë. Sipas tij Greqia ka nevojë për një qeveri të forcave pro-europiane, por dhe Syriza duhet patjetër në qeveri.
Venizelos shpreson që nesër të marrë ai mandatin për krijimin e qeverisë, duke bërë kështu të qartë se Cipras nuk do të arrijë në një marrëveshje për koalicion.
Kreu i PASOK tha në deklaratën e tij se ai synon një qeveri me demokracinë e re, SYRIZA, dhe të Majtën demokratike.
Sipas Venizelos vendi nuk ka kohë për të humbur, pasi zgjatja e pasigurisë është e dëmshme si për Greqinë ashtu dhe për qytetarët. Negociatat e deritanishme të SYRIZES sipas analistëve, por dhe sipas përllogaritjes së numrit të deputetëve të secilës prej partive nuk pritet të kenë sukses në arritjen e numrit magjik 151 deputetë, për formimin e koalicionit qeverisës.
Syriza, së bashku me deputetët e PASOK, por dhe me partinë e Fotis Kuvelis me të cilën arriti marrëveshje një ditë më parë, nuk arrin dot një mazhorancë qeverisëse.
Pas takimit me Venizelos, Tsipras pritet të takohet me kreun e Demokracia e Re, Antonis Samaras dhe me Panos Kamenos të “Grekëve të Pavarur”.