E Hënë, 2 Nëntor 2026

Greqi, Papandreou shpall planin e reformave

ATHINE-Kryeministri i Greqisë, Jorgos Papandreou, pritet të bëjë publike një seri masash për të reduktuar borxhin publik të vendit dhe për të rikthyer besimin e komunitetit ndërkombëtar në ekonominë e vendit. Sipas shtypit, kryeministri ka refuzuar atë që quhet tashmë si model irlandez.

Deficiti buxhetor i Greqisë pritet të shkojë deri në mbi 12 përqind të prodhimit të vendit këtë vit. Shqetësimi që ka shkaktuar ky fakt po e bën gjithmonë e më të vështirë për Greqinë që të sigurojë hua nga kreditorët.

Sindikatata kanë paralajmëruar se çdo masë e marrë që do të reduktonte të ardhurat e punonjësve do të kundërshtohet prej tyre.

Liderët e Bashkimit europian i kanë dhënë një vit afat kryeministrit grek që të zbatojë planin e tij për nxjerrjen e ekonomisë vendase nga kriza.

Gjatë samitit të fundjavës, zoti Papandreu u gjend para presionesh nga partnerët e vet, që të merrte masa emergjente që konsistonin në kufizimin e të ardhurave.
Por sipas shtypit, kryeministri ka refuzuar atë që quhet tashmë si model irlandez, duke u angazhuar për zbatimin e një programi më të butë.
Ai ka thënë se qeveria e tij i njeh shumë mirë problemet që ka përpara dhe prandaj shprehet optimist për suksesin e reformave.
"Ne kemi problemin e deficitit kolosal, të borxhit gjigand, të mungesës së konkurrencës të ekonomisë greke, që i dedikohet modelit të zhvillimit që po zbatohet prej shumë vitesh e duhet të ndryshojë", tha zoti Papandreu duke paralajmëruar reforma thelbësore.

Dhe pritet që Papandreu të fillojë dialogun me grupet e interesit, ku pritet të publikojë edhe akset e politikës ekonomike për katër vitet e ardhshëm, por jo vetëm kaq.

Ai ka theksuar nevojën e një reformimi të shumanshëm: "Ne do t’i përballojmë problemet me vendosmëri. E dimë se problemi është i yni, ndonëse kriza ekonomike ndërkombëtare i thelloi edhe më tej problemet tona.
Mirëpo, fakti se, bie fjala, në spitalet tona ka shumë korrupsion, nuk ka të bëjë me krizën ndërkombëtare," tha ai.

Sipas analistëve programi i zoti Papandreu, do të jetë i ndarë në dy faza.

Në fazën e parë do të synohet ulja drastike e deficitit buxhetor, pezullimi i emërimeve në administratën shtetërore dhe eliminimi i shpërdorimeve në sektorin buxhetor.
Në fazën e dytë, që do të fillojë pas vitit 2011, theksi do të vihet në reduktimin e numrit të punonjësve në adminiastratën shtetërore, deri në një të pestën e numrit ekzistues prej afro 830 mijë vetësh.
Të premten bursa u mbyll me një përkulje prej 2.4 për qind, pas një rimëkëmbje të fortë me 5.1 për qind të një dite më parë. Kjo ndodhi kur ditë më parë humbjet arritën në masën 10 për qind.
Sot pritet në Athinë një mision i agjencisë vlerësuese "Moody", që pason klasifikimet e agjencisë "Fitch" dhe paralajmërimin e "Standard & Poor's".

(d.b/BBC/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›