E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, Papandreu: Nesër mund të jetë shumë vonë për të vepruar

ATHINE- Kryeministri grek po paralajmëron se vendi i trazuar duhet të veprojë me shpejtësi dhe fuqishëm për të dalë nga borxhet ose përndryshe do të përballet me falimentim. Kryeministri Jorgo Papandreu i tha parlamentit dje se qeveria duhet të ndermarrë veprime drastike sepse siç tha ai, nesër do të jetë shumë vonë.

"Nëse nuk bëjmë shkurtime të thella sot, nesër kriza do të shtohet edhe më tej, dhe përsëri njerëzit do të detyrohen të paguajnë për gabimet e mëparshme.”- deklaroi Papandreu.

Ai tha se pa shkurtime të thella, kriza do ta rrënojë ekonominë greke. Ai gjithashtu bëri thirrje për mbështetje më të madhe evropiane.

Po kërkojmë solidaritet nga Bashkimi Evropian, sikurse ata po kërkojnë që ne të përmbushim angazhimet tona për ta risjellë vendin aty ku duhet.Ne do të reagojmë pavarësisht kostos dhe dhimbjeve që do të sjellë për ne, por në rrugën më të drejtë. Ndaj ne kërkojmë solidaritet, dhe besoj se do ta gjejmë atë.”

Zoti Papandreu i kërkoi Bashkimit Evropian që të tregohet i drejtë dhe mbështetës. Por situata është e tendosur. Ekspertët evropian që vizituan Greqinë këtë javë thanë se vendi duhet të bëjë më shumë për të frenuar borxhet e saj shkatërrimtare. Shumë zyrtarë fajsojnë problemet e Greqisë si shkaktarë të rënies së vlerës së euros.

Madje disa zyrtarë kanë thënë se sistemi monetar i euros mund të bjerë nëse Greqia falimenton për të paguar borxhet. Po ashtu nuk është folur zyrtarisht për ndonjë lloj pakete ndihme evropiane. Pas takimit me kryeministrin grek të premten, shefi ekzekutiv i bankës private gjermane, Deutche Bank, ishte i paqartë.

“Vi shpesh në Greqi sepse më pëlqen koha dhe zakonisht takohem me klientë dhe zyrtarë të shtetit.”

Kriza greke po ashtu ka pushtuar vemëndjen edhe të disa zyrtarëve të lartë amerikanë. Shefi i bankës qendrore amerikane, Ben Bernanke, u ka treguar ligjvenësve se disa banka private mund ta kenë ndihmuar Greqinë që të fshehë permasat e problemeve të saj.

“Po shikojmë lidhur me një numër pikëpyetjesh që lidhen me Goldman Sachs dhe kompani të tjera mbi ujditë që kanë patur me Greqinë.”- tha ai duke shtuar se disa agjenci po marrin pjesë në hetime. Shefi i bankës qendrore amerikane shprehu shqetësime rreth mundësisë se instrumentet mbi të cilat ka investuar Greqia mund të falimentojnë.
(voa/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›