E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, Montobio: Marrëveshje mbi propozimet e PS

TIRANE-  Ambasadori i Spanjës, Manuel Montobio, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës së Bashkimit Europian, e ka cilësuar si tepër pozitiv vendimin e opozitës për të hyrë në parlament.
Në një intervistë dhene mbreme për një televizion shqiptar ambasadori spanjoll deklaroi se hyrja e opozitës në Kuvend ishte një hap pozitiv dhe një ndër veprimet që po kërkoheshin nga ndërkombëtarët për të kapërcaur ngërqin politik i cili kushtëzon interesat kombëtare të Shqipërisë.

“Bashkimi Europian ka bërë një deklaratë publike, në të cilën ka shprehur opinionin e vet, dhe ne konsiderojmë se situata politike në Shqipëri duhet të tejkalohet nga lidershipi politik shqiptar, dhe që veprime të caktuara duhet të ndërmerren që të mos ketë një ngërç politik që të kushtëzojë interesat kombëtare të Shqipërisë. Hapat e tjerë që Shqipëria duhet të hedhë dhe që Bashkimi Europian dëshiron që ajo të hedhë, duhet të jenë ato të avancimit drejt perspektivës europiane. Në këtë kuptim hapi i ndërmarrë është një prej veprimeve që ne po kërkonim, dhe përbën një fakt pozitiv të cilin e përshëndesim dhe e përgëzojmë, pasi në çdo moment kemi thënë se ngërçi politik duhet të zgjidhet përmes dialogut dhe se vendi i dialogut është parlamenti. Në këtë kontekst kjo na duket një gjë pozitive. Besoj që është pozitive sepse hap një dritare mundësish për zgjidhjen e krizës politike aktuale dhe në këtë kuptim, rezultati i diferencave politike duhet të jetë një marrëveshje”- deklaroi zoti Montobio

Ambasadori vlerëson pozitiv faktin se në tavolinë është hedhur një propozim dhe shton se në çdo demokraci marrëveshjet politike përkthehen në ligje.

“Në çdo demokraci marrëveshjet politike përkthehen në ligje. Fakti që ekziston një propozim, një projektligj që është hedhur në tavolinë, na duket faktor pozitiv. Ky projektligj, përmes të cilit kërkohet të ngrihet një komision parlamentar, është pritur nga maxhoranca duke i ofruar opozitës shumicën drejtuese brenda këtij komisioni”.Pra ekziston një moment i veçantë që duhet përfituar dhe e nxisim lidershipin shqiptar të përfitojë sa më shumë nga ky moment, dhe të arrijnë në një marrëveshje përfundimtare që bën të mundur normalizimin e jetës politike, dhe të përqendrojë përpjekjet në hapat dhe sfidat që Shqipëria duhet të përballojë në një afat të shkurtër për të avancuar në realizimin e perspektivës së saj europiane. "

Ambasadori deklaron se propozimi i PS në Parlament duhet të vlerësohet dhe “në bazë të këtij propozimi duhet të ketë një marrëveshje që të lejojë të zgjidhet ngërçi politik. Sipas tij ngerci zgjidhet vetem duke pasur vullnet politik për të bërë marrëveshje dhe atë duhet ta bëjnë maxhoranca dhe opozita, të tjerët janë ndërmjetësues. "Por në një demokraci të zgjedhur nga populli, për t’u përfaqësuar janë pikërisht deputetët dhe ata që duhet të bien dakord për ligjet.”- shtoi ambasadori spanjoll i cili nenvizon se është një mundësi që jepet për të gjetur një zgjidhje dhe shpreson të ketë një ndërgjegje të kostos që ka për vendin humbja e kësaj mundësie.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›