E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, Papandreu mbledh qeverinë: Duhet një fillim i ri

ATHINE- Në takimin e parë të kabinetit të qeverisë së re, kryeministri Jorgos Papandreu theksoi nevojën për një fillim të ri, duke kërkuar rritjen e përpjekjeve të përbashkëta për të arritur rezultatet e kërkuara.

Kryeministri kërkoi intensifikimin e ritmit të punës dhe solidaritet, me qëllimin e vetëm, nxjerrjen e vendit nga kriza.

"Ne do të përballemi me një punë shumë të vështirë gjatë 28 muajve të ardhshëm të mandatit tonë", tha Papandreu, duke përjashtuar në këtë mënyrë, mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.

"Qeveria e mëparshme, pavarësisht nga vështirësitë dhe problemet e krijuara realizoi një detyrë të madhe, e cila do të vazhdojë më tej", tha ai.

Duke iu referuar punës që pret Ministrin e ri të Financave Evangelos Venizelos, Papandreu tha se “atij i duhet të zbatojë një program shumë të dhimbshëm dhe të vështirë të ndryshimit. Ish ministri Papakonstantinu, do ta ndihmojë atë për ta integruar në negociatat kritike që janë në vazhdim, me qëllim zbatimin e programit të ndryshimeve të mëdha strukturore, të cilat do të çojnë vendin tonë në një ekonomi të qëndrueshme në vitet e ardhshme", tha ai.

Së fundi, kryeministri theksoi se “qeveria e re do të vërë theksin në bashkëpunimin mes ministrive për të ndryshuar modelin e prodhimit dhe për ta bërë ekonominë tonë produktive dhe të qëndrueshme".
(BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›