E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel-Sarkozy: Do mbështesim Greqinë

BERLIN- Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Nicolas Sarkozy përsëritën angazhimin e tyre për mbështetjen e Greqisë dhe për mbrojtjen e stabilitetit të eurozonës dhe euros. Ky qëndrim u bë i ditur pas takimit të sotëm në Berlin, gjatë negociatave që kanë për qëllim një marrëveshje një paketë të re shpëtimi për Greqinë.

Të dy udhëheqësit më të lartë politike të BE-së ranë dakord që ndihma e mëtejshme për Greqinë është e nevojshme. “Ne mbështesim punën e kryeministrit grek Jorgos Papandreu, i cili ka vullnetin për të vazhduar me hapat e nevojshme”, tha Merkel duke shtuar se “Greqia duhet të marrë përgjegjësitë që i takojnë”.

Kancelarja gjermane bëri të ditur se do të shqyrtohen me Bankën Qendrore Europiane detajet për pjesëmarrjen e kreditorëve privatë në zgjidhjen e krizës greke.“Kemi nevojë për një paketë të re që do të përfshijë dhe pjesëmarrjen vullnetare të sektorit privat,” tha Merkel.
Presidenti franzez Nikolas Sarkozy deklaroi se Franca dhe Gjermania janë në një mendje mbi nevojën për të mbështetur qeverinë greke dhe axhendën e saj të reformave, ndërkohë që i sugjeroi qeverisë greke të vazhdojë me reformat dhe privatizimet e planifikuara.
“Nuk ka kohë për të humbur,” theksoi Sarkozy.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›