E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, Papandreu në mesditë te presidenti, për qeveri koalicioni

ATHINE- Zhvillimet politike në Greqi gjatë ditës:

Ora 10:00 – “The Guardian” citon burime në Athinë, sipas të cilave Jorgos Papandreu do të japë dorëheqjen dhe do të propozojë një qeveri të kryesuar nga Evangelos Venizelos.

Ora 09:00 –Zyrtarë të “Demokracia e re” thanë se nuk janë përmbushur kushtet e Samaras. Nuk duket e lehtë rruga drejt krijimit të qeverisë unitetit.

Ora 08:00 - Kryeministri Papandreu do takojë sot në mesditë në ora 12 00, Presidentin e Republikës Papulias, që ta njohë atë me synimin për fillimin e konsultimeve me gjitha palët, me qëllim formimin e një qeverie me mbështetje të gjerë. Sipas ministrit të Financave Venizelos, mandati i qeverisë së unitetit, do të zgjasë deri në shkurt.

Ora 01: 00 Dje, kryeministri ka marrë nga Parlamenti një votëbesim me 153 vota "pro" dhe 145 "jo", ndërkohë që ishin të pranishëm në sallë 298 deputetë. Deputetët e grupit Parlamentar të PASOK u bashkuan të gjithë në këtë votim, ku mungonin vetëm dy prej tyre.

Në fjalën e tij para votimit, Kryeministri Papandreu përjashtoi zgjedhjet e parakohshme, por premtoi për t’iu hapur rrugë bisedimeve për ndarjen e pushtetit me partitë e tjera.

Ai deklaroi se menjëherë do të shkojë tek Presidenti i Republikës për qeverinë e koalicionit, e cila do të sigurojë miratimin e marrëveshjes së samitit të BE, këstin e gjashtë të kredisë prej 8 miliardë eurosh, paketën e dytë të ndihmës për Greqinë dhe në fund të këtij procesi të shkohet në zgjedhje.

Por duket se nuk do të jetë e lehtë rruga drejt krijimit të një qeverie uniteti. Zyrtarë të “Demokracisë së Re” thanë se nuk janë përmbushur kushtet e kërkuara nga kryetari i Partisë, ndërsa ky i fundit vazhdon të këmbëngulë se e vetmja zgjidhje për vendin janë zgjedhjet, të cilat Papandreu i përshkroi si katastrofike për vendin, pasi do të shkaktonin vonesa në miratimin e marrëveshjes, refuzimin e këstit të gjashtë dhe c’është më e keqja mund të sillnin përjashtimin e Greqisë nga Eurozona, sic paralajmëroi mbrëmë qeveria Gjermane.

(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›