Greqi, Papandreu vendos lule në vendin ku humbën jetën 3 persona
Kryeministri grek Jorgos Papandreu ka vendosur lule në vendin ku tre persona mbetën të vdekur gjatë protestave të dhunshme që u regjistruan në Athinë. Qindra mijëra njerëz dolën nëpër rrugë e sheshe të Athinës për të kundërshtuar masat drastike financiare të ndërmara nga qeveria greke. Kreu i ekzekutivit grek, bashkë me disa përfaqësues të kabinetit vizitoi vendin ku ndodhi tragjedia, ambientet e djegura dhe të dëmtuara të bankës ku humbën jetën tre punonjës të saj. Në këto ambiente dhjetëra qytetarë dhe kolegë të viktimave kanë vendosur tufa të shumta lulesh dhe kanë ndezur qirinj, për të nderuar kujtimin e tyre. Papandreu nuk ka nguruar të përshëndetet e të shtrengojë duart me kalimtarët e rastësishëm apo persona që ndodheshin në këtë zonë. Janë të shumtë personat që ndalojnë për të nderuar tre viktimat, dy burra dhe një grua e cila ishte shtatzënë ndërsa të tjerë kanë lënë në këtë vend edhe shënime të ndryshme. Tre punonëjsit e bankës humëbn jetën dy ditë më parë pasi protestat kundër shkurtimeve të mëdha të shpenzimeve të qeverisë, gjeneruan në dhunë dhe demonstruesit i vunë zjarrin një banke madje hodhën edhe bomba molotov.