E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, Parlamenti miraton masat e ashpra, Athina në flakë

ATHINE - Me 199 vota pro, 74 kundër, dhe 5 abstenime u miratua në orët e para të mëngjesit të së hënës në parlamentin grek, Marrëveshja e kredisë së re. Projektligji u miratua në parim dhe më pas edhe në 3 nenet e tij. Gjatë votimit ishin të pranishëm në sallë 278 deputetë të Parlamentit.

Surpriza ishte qëndrimi i anëtarëve të LAOS që abstenuan, ndërsa 2 prej tyre, Adonis Georgiadis dhe Voridis Maki, të cilët tre ditë më parë dhanë dorëheqjen nga qeveria Papadhimos, votuan "po" për të gjitha nenet e ligjit dhe u përjashtuan nga grupi.

Nga grupet parlamentare u përjashtuan gjithashtu edhe 22 deputetë të PASOK dhe 21 deputetë të Demokracisë së Re, të cilët votuan "kundër" planit duke shkelur disiplinën partiake.

Kundër votuan gjithashtu edhe deputetët e Partisë komuniste, SYRIZA, e Majta demokratike, ndërsa Aleanca Demokratike votoi “pro” me përjashtim të një deputeti.

Ndërkohë jashtë godinës së parlamentit, qendra e Athinës u kthye në një shesh beteje të përfshirë nga flakët.

Pas dhunës që u shënua jashtë parlamentit në fillim të protestës, episodet u shtrinë në rrugët rreth sheshit Sintagma.

Persona të maskuar vunë rreth 40 zjarre, nga të cilat u dogjën plotësisht dhjetëra dyqane, banka, kinema dhe ndërtesa historike të Athinës.

Protestuesit u përleshën me policinë duke përdorur kundër saj bomba “Molotov”, gure dhe sende të tjera të forta, ndërsa policia hodhi mbi ta gaz lotsjellës.

Mbi 70 njerëz, policë dhe civilë, janë plagosur dhe janë dërguar në spital. Policia kreu 25 arrestime dhe 23 shoqërime.

Kaosi mbizotëroi për orë të tëra në Athinë, kur përvec zjarreve e thyerjeve, janë plackitur e vjedhur dyqane të shumta.

Dhjetëra persona u dërguan në spitale me probleme në frymëmarrje për shkak të gazit lotsjellës. Sipas njoftimit nga ministria e Shëndetësisë, pas dhënies të ndihmës së parë të gjithë ndodhen në gjendje të mirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›