Greqi, anulohet referendumi për marrëveshjen me BE-në
Pas presionit të madh ndërkombëtar, por edhe vendas, Greqia duket se ka hequr dorë nga referendumi për pranimin ose jo të paketës së shpëtimit nga ana e Bashkimit Europian.
Lajmi bëhet i ditur nga disa media ndërkombëtare, ndërsa është konfirmuar zyrtarisht edhe nga Papandreu.
Papandreu kishte kërkuar që grekët t`i drejtoheshin kutive të votimit për të vendosur miratimin ose refuzimin e masave anti-krizë të qeverisë Papandreu, e veçanërisht për t`i thënë po ose jo marrëveshjes së arritur në samitin e Brukselit mes lidërve të BE-së dhe Athinës.
Por, referendumi është kundërshtuar nga një pjesë e ministrave, nga ndërkombëtarët si dhe një grup deputetësh të PASOK, ku këta të fundit kërkuan qeveri uniteti dhe zgjedhje të parakohshme, ndërsa deputetja e PASOK, Milena Apostolaki u largua nga kjo parti, duke zvogëluar në 152 numrin e deputetëve të maxhorancës nga 300 deputetët e Parlamentit të Greqisë.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, e mbajtur në orët e pasdites së enjte, Papandreu e cilësoi idenë e mbajtjes së një referendumi popullor si një taktikë për marrjen e mbështetjes së konservatorëve për qeveri uniteti.
Papandreu ndërkohë deklaroi se nuk ka ndërmend që të dorëhiqet si kryeministër i Greqisë.