E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plaku dhe Plehra

Share

Nga Ernest Bunguri

Afërmendsh që ky do kish qenë titulli që Heminguej do ti kish ngjitur librit të tij, nëse do të kishte jetuar në Shqipërinë e Sali Berishës. Në vend që ta nxirrte mes dallgëve me kripë e diellit përvëlues për të gjuajtur peshq e për të folur me veten, Hemingueji shqiptar i realitetit Berishist do ta kish degdisur plakun e tij flokë-ar në mes tufa plehrash që digjen ditën për diell, për të nxjerrë kafshatën nga mbetjet e bollëkut alla-Sali.

Plaku shqiptar do të çirrej e do të vinte kujën kur të endej rrugëve të Shqipërisë të shtrurara me asfalt plehrë e të zbukuruara, në vend të luleve, pemëve a gjelbërimit, me pirgje plehrash plot pluhur e tym mbytës. Kancerogjen!

Plakut të mjerë e kockëdalë do ti ishin shqyher sytë nga djegia e gëlqeres megjithë malet e Krujës e sdo gjente pikë uji të kulluar për ti shpëlarë përronjve a lumenjve plehra-bartës.

Ashtu fjetur në ndonjë pyll, do të zgjohej i lebetitur nga kërcitja e sopatave e ndotja akustike e motosharrave do ta zbonte larg malit, buzë detit, për ta afruar sadopak me atë plakun e Heminguejit që njohim.

Por ky yni, nuk do të shquhej për trimëri e durim kundër stuhive a forcave të natyrës, pasi pa futur këmbën në ujë do hidhej i trembur në varkë nga vajrat, nafta a mbetjet që hidhen në sipërfaqen pisllëk-mbajtëse të bregdetit shqiptar.

Frika nga gjëmimet e dinamitit në Jon dhe shtizat e fekaleve të futura thellë në Adriatik, e jo yshtja për të kapur ndonjë peshk, do ta shtynte brigjeve të veriut ku betejën përfundimtare, plaku, do ta zhvillonte me rrymën e detit që do e kish përplasur të pafuqishëm, ashtu mbuluar me pirgje plehrash, brigjeve të Dubronikut.

Aventura e plakut të Heminguejit shqiptar do të përfundonte me tu miratuar sot ligji i ri për plehrat dhe importin e tyre, duke u kthyer në atdhe, bashkë me plehrat e Kroacisë, Italisë, e mbarë Evropës, për të jetuar krenar ashtu mes plehrash, në Shqipërinë e Plehrës Sali.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›