E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, arrestohet një polic pas denoncimit të shqiptarit

SAMOS - Sot u dërgua në prokurorinë e Samosit dhe nesër pritet të dalë para hetuesit, një polic 38 vjeçar që u arrestua nga shërbimi i brendshëm i policisë, në momentin që po merrte 350 euro nga një emigrant shqiptar. 

Sipas denoncimit të shqiptarit, polici i kërkoi shumën 350 euro, në mënyrë që të mos e arrestonte për disa parregullsi me automjetin, të cilin shqiptari e kishte blerë ligjërisht nga një 43 vjeçare greke. 

Sipas të dhënave, ishte 43 vjeçarja vendase, e cila kërkoi nga polici ta ndihmonte, që të merrte pjesën e mbetur nga shuma që i detyrohej shqiptari që bleu automjetin e saj. 

Emigranti shqiptar bëri denoncim në drejtorinë e policisë dhe në mënyrë sekrete u mbyll takimi me policin, që t’i dorëzonte paratë. Dorëzimi i parave u krye brenda në rajonin e policisë dhe kolegë të policit ndërhynë duke e arrestuar. 

Me vendim të drejtorisë së përgjithshme të policisë greke, polici u pezullua nga detyra, ndërsa u urdhërua fillimi i hetimit ndaj tij, dhe u përgatit procesi me akuzën për abuzim me detyrën dhe shantazh. Gjithashtu u arrestua edhe 43 vjeçarja me akuzën për bashkëpunim në shantazh, ndërsa autmjeti u sekuestrua me qëllim që të ekzaminohet nga ekspertët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›