E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, sulmohen për skrap varrezat

GJIROKASTER – Varrezat publike në Gjirokastër bien pre e grabitësve. Prej disa ditësh, dy të rinj nga Elbasani, përkatësisht Florenc Mahmutaj dhe Denis Bajramaj, 19 dhe 21 vjeç, po vidhnin sistematikisht pjesët metalike të varreve në varrezat e Gjirokastrës. Kanë qenë familjarët e të ndjerëve ata që vunë re mungesën e detajeve metalike, si shkronjat e bronzta mbi varre apo dhe profile të ndryshme hekuri që i rrethojnë ato. Këto u bën shkas për denoncimin e këtij fenomeni të pandeshur më parë në organet policore. Akti i fundit i adoleshentëve ishte ai i katër ditëve të kaluara, kur kishin çmontuar të gjitha zgarat e hekurta të murit rrethues të varrezave të reja publike përbri atyre të vjetra, në lagjen SMT. Të gjitha profilet e metalta ishin çmontuar përmes instrumenteve motorikë dhe më pas qëndronin në një zonë të veçuar, e cila shërbente si vend për depozitimin e të gjitha materialeve të grabitura. Në deklarimet e tyre, pas arrestimit në flagrancë pasditen e të shtunës nga ana e specialistëve të Seksionit për Parandalimin dhe Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gjirokastër, ata pohuan se metali i grabitur do të shitej për skrap. Ndërkohë që shkronjat e bronzta të emrave të të vdekurve, do ti shisnin tek një linjë prodhimi mermerësh në Gjirokastër dhe Ersekë. Vetëm një shkronjë vlen 1 mijë lekë të rinj, dhe kjo u ka shtuar oreksin grabitësve që të heqin gati 40% të emrave të të vdekurve. Njëri prej të arrestuarve, Denis Bajramaj, rezulton i dënuar më parë për trafik të lëndëve narkotike ndërkohë që të dy kanë rrëfyer të gjithë mekanizmin e vjedhjes në varreza. Policia e Gjirokastrës ka mundur të sekuestrojë në cilësinë e provës materiale zgarat e hekurit dhe pjesët prej bronzi të grabitura nga dy të rinjtë. Ky është rasti i parë i dhunimit të varreve që shënohet në Gjirokastër.                          p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›