Greqi, bëhen publike masat e reja të kursimit

Në Greqi janë bërë publike masat e kursimit, që nga kryeministri grek Antonis Samaras janë cilësuar si të fundit. Shkurtimet në total kapin një vlerë prej 11,5 miliardë euro dhe do të arrihen përgjatë dy viteve të ardhshme.
Lista me të gjitha shkurtimet pritet të diskutohet nga liderët e tre partive të koalicionit , ndërsa më pas pritet të marrë miratimin edhe nga inspektorët e trojkës, të cilët do të jenë në Athinë gjatë javës së ardhshme.
Masat e parashikuara në paketën e re të shkurtimeve parashikojnë ndër të tjera një shkurtim prej 4,6 miliardë euro për pensionet shtetërore, 1,32 miliardë euro për pagat e punonjësve publikë. Shkurtime në sektorin e shëndetësisë me 1,45 miliardë lekë dhe ulje të shpenzimeve me 517 milionë euro për sektorin e mbrojtjes. Rreth 400 milionë euro të tjera do të përfitohen nga heqja e pagës së 13 të dhe të 14të.
Për herë të parë do të ulen me 12% pagat e diplomatëve, ushtarakëve, gjykatësve, mjekëve dhe kategorive të tjera të ashtuquajtura speciale, të paprekura në të shkuarën. Gjithashtu, do të ngrijnë të gjitha rritjet në grada të ushtarakëve dhe policëve, çka do të kursejë 165 milionë euro.
Pasi ka prezantuar masat e shkurtimeve, kryeministri Samaras deklaroi se, paketa e re do të jetë e dhimbshme, por e paevitueshme, në mënyrë që Greqia të fitojë besimin.