E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Elenit, zbardhet vendimi që liroi Ilia Bashon

TIRANE- Zbardhet vendimi që sol li lirimin e Ilia Bashos. Referuar vendimit të Gjykatës së Tiranës marrë më datë 14 maj. Prokuroria e Tiranës shprehet se duke qenë se nuk ekziston rreziku për marrjen e provave, pasi ato janë marrë të tëra nuk ekziston as rreziku i ikjes së personit në hetim dhe se nga hetimet nuk është bërë e mundur që dyshimi të mbështet në provat përkatëse, ka kërkuar zëvendësimin e masës së sigurimit nga "arrest në burg" me atë të "detyrimit për t'u paraqitur në policinë gjyqësore". 

Ndërkaq, Gjykata e Tiranës pasi ka dëgjuar pretendimet e të dy palëve, ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë për Ilia Bashon, duke caktuar çdo ditë të hënë në ora 09:00, kur ky i fundit duhet të paraqitet pranë organeve të Policisë Gjyqësore. 

VENDIMI 
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka regjistruar procedimin penal Nr.595 në ngarkim të personit në hetim Ilia Basho. Gjatë seancës gjyqësore rezultoi se: Më datë 02.02.2012 rreth orës 18:30, Eleni Basho po shkonte në banesën e saj që ndodhet në Lagjen Shkozë pranë ambienteve të firmës "Sina Beton". Disa metra para se të mbërrinte në banesë kësaj shtetase i ka dalë një person me armë zjarri, i cili e ka qëlluar dy herë. Si pasojë e këtyre të shtënave ka ngelur e vdekur Eleni Basho. Nga hetimet e kryera, deklarimet e personit në hetim dhe të personave që kanë dijeni për veprën penale ekziston dyshimi i arsyeshëm se autori i kësaj vepre penale është Ilia Basho, vepër penale kjo e cila dyshohet të jetë kryer nga ky person në bashkëpunim. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin Nr.215 AKTI, datë 24.02.2012 ka vendosur vleftësimin si të ligjshëm të ndalimit të personit nën hetim Ilia Basho. Caktimi i masës së sigurimit "arrest në burg" ndaj personit nën hetim Ilia Basho në bazë të nenit 238 të K.Pr.Penale. Pas zhvillimit të hetimeve, organi i akuzës ka kryer veprimet e nevojshme hetimore. Në përfundim të tyre duke qenë se nuk ekziston rreziku për marrjen e provave, pasi ato janë marrë të tëra, nuk ekziston as rreziku i ikjes së personit në hetim dhe se nga hetimet nuk është bërë e mundur që dyshimi të mbështet në provat përkatëse, ka kërkuar zëvendësimin e masës së sigurimit nga "arrest në burg" me atë të "detyrimit për t'u paraqitur në policinë gjyqësore". Gjykata çmon se kjo kërkesë e organit të akuzës është e drejtë. Kështu që duhet zëvendësuar masa e sigurimit personal nga "arrest në burg" në "detyrim për t'u paraqitur në Policinë Gjyqësore" çdo ditë të hënë ora 09:00, ndaj personit nën hetim Ilia Basho. 
PËR KËTO ARSYE
Gjykata duke u bazuar në nenin 260 të K.Pr.Penale 
VENDOSI - Zëvendësimin e masës së sigurimit personal nga "arrest në burg" në "detyrim për t'u paraqitur në Policinë Gjyqësore" çdo ditë të hënë ora 09:00, ndaj personit nën hetim Ilia Basho. - Urdhërohet Policia Gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi. - Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim në raste se ndaj tij nuk është duke u zbatuar ndonjë vendim tjetër penal që i ka caktuar si masë sigurimi "arrest në burg" ose duhet zbatuar ndonjë vendim penal që e ka dënuar me burgim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›