E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytja në Shkodër, pezullohen licencat për shfrytëzimin e shtretërve të lumenjve

Jonida Tashi

Pezullohen pa afat licencat për shfrytëzimin e shtretërve të lumenjve. Vendimi është marrë së fundi nga Ministria e Mjedisit, ndërkohë që shkak është bërë katastrofa e përmbytjes, që përfshiu në fillim të këtij viti qarkun e Shkodrës. Ka qenë pikërisht situata e përmbytjeve në veri të vendit, kambana e alarmit që ka vënë në lëvizje drejtuesit dhe ekspertët e Ministrisë së Mjedisit, që të marrin masa për mbrojtjen e shtretërve të lumenjve.
Raporti
Në fund të muajit janar, autoritetet e Ministrisë së Mjedisit do të bëjnë publike një raport të detajuar në lidhje me dëmet ekologjike që janë shkaktuar në mjedis, në zonat që u përmbytën në qarkun e Shkodrës. Specialistët e Mjedisit, bëjnë të ditur se kanë ngritur grupe pune për sektorë të veçantë të mjedisit, ndërkohë që pranojnë faktin se ndotja në qarkun e Shkodrës, për shkak të përmbytjes ka qenë tepër e madhe. “Ne kemi ngritur grupet e punës, në të cilat janë përfshirë njerëz nga të gjitha fushat, nga biodiversiteti, pyjet, ujërat, peshkimi, për të vlerësuar ndikimin e kësaj situate në mjedis. Sipas urdhrit të Ministrisë së Mjedisit, raporti përfundimtar do të paraqitet në datën 27 janar”,- deklaroi dje, sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Mjedisit, Myrvete Pazaj.
Masat
Përveç nisjes së studimeve për ndotjen e krijuar në zonat e përmbytura në veri të vendit, Ministria e Mjedisit ka ndërmarrë edhe masat e para për mbrojtjen e shtretërve të lumenjve. Specialistët e mjedisit deklarojnë se një nga masat konkrete që është ndërmarrë, është mosdhënia e licencave për firmat që shfrytëzojnë shtretërit e lumenjve, deri në daljen e një studimi të detajuar nga specialistët. “Ky vendim pezullon dhënien e lejeve për shtretërit e lumenjve, deri në momentin kur të ketë një studim të plotë dhe kur ky studim të tregojë se ka lejuar të drejtën për të shfrytëzuar shtratet e lumenjve, në bazë të kritereve, në bazë të rezervave pa dëmtuar dhe pa sjellë pasoja mbi mjedisin”,- sqaroi Pazaj. Aktualisht deri tani, në zonat që u përmbytën në qarkun e Shkodrës, po llogariten vetëm dëmet materiale të mijëra familjeve, ndërkohë që po punohet për shmangien e epidemive të mundshme, nga ndotja e ujërave apo dhe e puseve.

Përmbytjet në Shkodër
Ministrat Vasili e Ksera raportojnë në Komision për masat që do të merren

Në Shkodër nuk ka asnjë rrezik për përhapjen e ndonjë epidemie të mundshme. Kjo ka qenë garancia që ka dhënë ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili gjatë raportimit të tij në Komisionin Parlamentar të Punës, Çështjeve sociale dhe Shëndetësisë. Vasili së bashku me ministrin e Punës, Spiro Ksera kanë informuar deputetët lidhur me masat që kanë marrë për përmbytjet e shkaktuara në veri të vendit. Sipas Vasilit, mbajtja nën kontroll e situatës shëndetësore dhe sanitare në zonat e përmbytura, për të shmangur përhapjen e epidemive apo infeksioneve do të realizohet nëpërmjet një plani konkret masash. “Masat e marra konsistojnë në eliminimin e risqeve të mundshme. Ne kemi miratuar një plan, aty janë vendosur të gjitha momentet si do të drejtohet me tutje kjo sasi e grumbullimit të ujërave të zeza në ujësjellës dhe cila është masa sanitare. Të dhënat sanitare për ujësjellësit janë plotësisht të shëndetshme, dhe nuk ka asnjë shfaqje të ndonjë elementi epidemik”,- raportoi Vasili. Ndërsa, ministri i Punës, Spiro Ksera ka deklaruar se në zonë po vijon shpërndarja e ndihmave shtetërore, shteteve fqinjë, të subjekteve private dhe OJF-ve të ndryshme. Gjithashtu, Ksera premtoi përfshirjen e familjeve të përmbytura në skemën e ndihmës ekonomike. “Ky grup ka kontaktuar me përfaqësues të pushtetit vendor të zonës, u ka kërkuar këtyre të fundit që të përfshijnë në listat e të përmbyturve të zonës në skemën e ndihmës ekonomike të gjitha familjet e dëmtuara në këtë fatkeqësi natyrore. Flitet që së shpejti, ndoshta pasi të ketë mbaruar kjo fazë emergjence për fillimin e paraqitjes nga fermerët, të dhënat e sakta të familjeve të dëmtuara, të cilat do t’i bashkëngjiten skemës aktuale të ndihmës ekonomike në qarkun e Shkodrës”,- u shpreh Ksera. Ndërkaq, sipas informacioneve nga Ministria e Shëndetësisë bëhet e ditur se gjatë ditëve të përmbytjes mbi 370 bluza të bardha në vendngjarje kanë realizuar mbi 7 mijë vizita mjekësore, nga të cilat nuk ka rezultuar asnjë rast me komplikacione

22 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›