E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, fitojnë të majtët e PASOK-ut

Sipas rezultateve të para të zgjedhjeve të parakohshme në Greqi, PASOK-u i Jorgos Papandreut ka arritur të fitojë mazhorancën absolute të vendeve në Parlament, pasi ka marrë 41-44 për qind të preferencave të grekëve, ndërsa Demokracia e Re e Kryeministrit Karamanlis rreth 34.3-37.3 për qind. Sipas këtyre rezultateve jo zyrtare, socialistëve u takon shumica absolute e vendeve në Parlament me një numër deputetësh nga 151-159, ndërsa konservatorëve një numër nga 94-100 deputetë, nga 300 gjithsej që ka në Parlamentin grek. Këto të dhëna tregojnë qartë se PASOK-u i Papandreut ka gjasa ta formojë i vetëm qeverinë e re pa pasur nevojën e ndonjë koalicioni.

Si forcë e tretë në vend janë renditur komunistët (KKE) me 7.3- 8.3 për qind dhe 20-22 deputetë në Parlament. Eurokomunistët e Syriza kanë marrë 3.9-4.9% me 11-13 deputetë, e djathta ekstreme (Laos) 5-6% me 14-16 deputetë, ndërsa të gjelbrit nuk kanë arritur dot ta kalojnë pragun e 3 përqindëshit.

Dje, Papandreu votoi në Athinë, ndërsa rivali i tij Karamanlis në Selanik. Ish-ministri i Jashtëm grek, në momentin e hedhjes së votës u shpreh: "Sot është dita e demokracisë. Së bashku mund ta ndryshojmë Greqinë dhe jam i bindur se do t‘ia dalim mbanë". Lideri i Partisë Socialiste greke ishte bazuar te retorika obamiane, duke i ftuar qytetarët të votojnë "për një të ardhme më të mirë". Nga ana tjetër, edhe Karamanlis ishte i bindur për fitore. Ai tha se "zgjedhësit grekë duhet të kërkojnë më të mirën, fitorja është në duart tona".

Të gjitha sondazhet e publikuara i jepnin një avantazh prej gjashtë pikësh PASOK-ut të opozitës, përballë Demokracisë së Re në pushtet. Ato tregonin se socialistët nuk do ta kishin të vështirë të fitonin mazhorancën e nevojshme për krijimin e qeverisë. Rreth 9.8 milionë grekë janë regjistruar për të votuar, për të zgjedhur qeverinë që do të drejtojë vendin për katër vitet e ardhshme. Sipas Ministrisë së Brendshme, në më shumë se 20 mijë qendrat e votimit, procesi u zhvillua normalisht. Zgjedhjet e tanishme u shpallën në mënyrë të parakohshme vetëm 2 vjet pasi Kryeministri aktual, Kostas Karamanlis, fitoi një mandat tjetër qeverisjeje. Karamanlis e arsyetoi shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me nevojën e marrjes së masave të forta për të përballuar pasojat e krizës ekonomike. Gjatë fushatës elektorale, PASOK-u i Papandreut premtoi vendosjen e një të ashtuquajture taksë për të pasurit, mbështetje të të varfërve dhe një paketë në ndihmë të ekonomisë prej 3 miliardë eurosh. Si Karamanlis, ashtu edhe Papandreu vijnë nga familje që dominojnë në skenën politike greke prej disa dekadash. Pozitat e Karamanlisit, 53 vjeç, u dobësuan shumë si pasojë e disa skandaleve që përfshinë kabinetin e tij qeveritar. Gjatë fushatës elektorale ai tha se Greqia brenda dy viteve të ardhshme do të jetë një vend i begatë ekonomikisht. Papandreu, 57 vjeç, u zotua se do ta nxirrte vendin nga kjo gjendje jo për 100 ditë, por për disa muaj pa e vënë shtresën e mesme të popullsisë përballë sakrificave të mëdha. Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, sipas Ministrisë së Brendshme, priten të dalin nesër në mëngjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›