Kështjellari i Estetikës, përndryshe "tapia" e prof. Uçit
…Ai më jep librin e tij të fundit "Estetika metateorike mbi artin - Klasika apo nonklasika", në dy vëllime, botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Dy libra të trashë që përfshijnë së toku mbi 900 faqe me gërmë të ngjeshur. Është një libër-tapi; rëndom këta i quajmë edhe librajete. Ai shkruan dy radhë respekti për mua, çka ma nguc krenarinë prej ish-studenti (nga gjeneratat e shumta që ai ka kaluar nëpër "sitat" e veta si pedagog, thuajse i pakonkurrueshëm për nga përmasa e diturisë…) Një burrë krenar. Autoritar. Por i drejtë. Tejet kër-kues ndaj vetes dhe të tjerëve. Nga më të përzgjedhurit e sektit të dijes ndër shqiptarët, një "kardinal" i estetikës. Unë, pa mëdyshje a burracakëri kinse diturakësh, e çmoj prof. Uçin ndër "ikonat" e pakta meritore të asaj çka kanë krijuar me punë akademikët e vërtetë shqiptarë. Akademikët që maten me libra, me kontribute të vyera e jo me kopshtari influencash lart e poshtë koridoreve të politikës a sqetullave partiake, as me emra të rrejshëm që seliten jo rrallë nga impakte "masonike", si nëpër sekte a pushtete okulte. Në 50 vjet punë të parreshtur, asnjëherë "kaikja" e tij prej dijetari nuk lundroi mbi vetëkënaqësitë e moçalishteve të mediokritetit, mburrjeve, zhurmës dhe gjësendeve të rëndomta, përkundrazi… Kam dëshirë një hop t‘i lë mënjanë lulet dhe aureolat dhe ta çmoj prof. A. Uçin (marr guximin) si një koleg… Ai edhe më parë më ka dhuruar disa nga librat e tij themeltar në laminë e parapëlqyer të estetikës, por kësaj here "autoritetin" prej dijetari, vështirë të kapërcyeshëm, sikur e tëhollojnë filxhanët e kafesë që kemi të dy përpara. Dhe… dhe… diskutimi ynë disa orësh nuk rresht, në mirëkuptim e respekt, me protagonist kryekreje fjalën, argumentet dhe sintezat e tij të mbra-me. Po, më duket se e përcaktova drejt: "Argumentet dhe sintezat e mbrame". Me librin "Estetika metateorike mbi artin…" profesor Alfred Uçi sikur ka bërë rezumenë e ideve dhe vlerësimeve të tij duke udhëtuar në krejt hapësirën e kësaj disipline nën ashkun e një fjale prej "plaku" të urtë, të drejtëpeshuar, gjithëpërfshirës.
-Shëndeti s‘më lë t‘i përfundojë punët që kam nisur… Sa vite jetë kam akoma?!… - më thotë syulur, nënkuptues dhe unë prekem, pa ia dëshmuar atë. E kam njohur profesorin që kur isha stu-dent në Akademinë e Arteve në fundin e viteve ‘60. Mendja dhe elokuenca e tij më dukeshin si ato honet pa fund e anë ku dija shtresohej kate-kate, ndërsa aftësia ime përthithëse më ngjante aq e vogël. Pastaj, nga faqet e leksioneve të tij aq interesante, në vitin 1969 doli "Estetika, jeta, arti", libri i parë mirëfilli për estetikën në trajtën e një botimi epistimologjik, i cili ishte, gjithashtu, edhe libri i parë kësilloji në bibliotekën tejet të varfër shqiptare të kohës. Kishte shkruar De Rada një libërth dikur, disa artikuj edhe Fishta, do mendime poshtë e lartë faqeve të shtypit të viteve ‘20-‘30 edhe Koliqi, Çabej, Shuteriqi, Maloki e rishtarë të tjerë. Por, në fakt, plugun arave të kësaj dijeje, pra të filozofisë së artit, më saktë të estetikës, ishte ai dhe vetëm ai i pari që e nguli, i mëshoi dhe e lëroi thellë. I shndërruar në synim, pasion, prirje e talent, studimet e tij në laminë e estetikës dhe të tjera lami, lidhur a në funksion të saj, do të shndërroheshin në identitet kulturologjik për të, në profil shkencor, në personalitet akademik.
"Lumi" që ndjek shtratin e vet
Nga traktati i parë ("Estetika, jeta, arti", 1969), në vitin 1976 ai do të botonte librin e dytë "Probleme të estetikës", ku argument bëhen disa çështje të mprehta që lidheshin më fort me raportin kapilar të artit me shoqërinë dhe e këtyre të fundit me idealin estetik. Hapi i tretë, shumë më serioz, ishte libri tre vëllimësh "Este-tika" (1986-1988). Thuajse në mënyrë shterruese ai i risolli parimet, ligjësitë, dukuritë dhe çështjet kryesore të este-tikës, të trajtuara gjithëpo në dy librat e sipërpërmendur, porse tanimë lënda përshfaqej ku e ku më e pasur, optria ku e ku më e gjerë e gjithëpërfshirëse, sikurse edhe prania domethënëse e refe-rencave nga letërsia dhe artet shqiptare, po ashtu nga letërsia dhe artet botërore, nga njerëzit e mëdhenj të filozofisë dhe estetikës në botë. Vektorët e mendimit të tij ishin më të çlirët, përjashtuar do çukërmime nocionesh dhe interpretimesh që s‘mund të mos lajkatonin lëkurën e dinosaurit "doktrinë marksiste", e ulur këmbëkryq në mediumet tona. Mirëpo "doktrina", në mendjen e tij, përkundra-zi, dukej se i kishte humbur me kohë të "vërtetat absolute" me të cilat ajo kreshpërohej dikur. Dinosauri po rrëzo-hej, paçka se retorika shkencore në këta libra mbushte ende vakumin e frikshëm që lindte nga dyshimi dhe pikëpyetjet e shumta. Dinakëria e Uliksit për të dalë nga shpella e Qiklopit gati sikur klithte sy për sy: Ja, e shikoni, tek libri im i fundit trevëllimësh "Estetika" (1986-88) ka mbetur vetëm një cipëz, sa për ngjyrë e ujdi me klishetë imponuese, pasi thelbi i mendimit tim është tjetërfarë, ju e ndjeni! Është gjithëpërfshirës, dialektik dhe në rrjedhë të drejtimit materialist pozitivist të estetikës, jo të shfaqjeve sempliste e vulgare të saj.
I thashë këto jo më kot, sepse duke e ndjekur krejt korpusin e veprave të profesor Uçit para vitit 1990, me botimin e librit të tij të fundit "Estetika metate-orike mbi artin" (2008) lexuesi shquan një rrugëtim të vështirë por dinjitoz drejt po atij individualiteti të shënjuar kryeherit, ku nuk ka tradhti ndaj vetvetes, as pikiada, vdirje, pacipësi mendimesh, ca më pak perversitete qëndrimesh të pamoralshme, përkundrazi vëren një evoluim të natyrshëm, një grykë tuneli që veç "hapet" e hapet. Vrapi drejt kohës së re dhe të vërtetave të mohuara shenjohet tek rishikimet serioze që i janë bërë ligjësorive të estetikës, tek dinjiteti i tij shkencor, tek autoriteti i mendimit dhe ideve. Prandaj autori "nuk mund të mos ndjejë nevojën për një rishkrim, rivlerësim të historisë së estetikës me syrin e sotëm" (f. 9). Ndonëse zëri më imponues i shkencës së estetikës asaj kohe, ai nuk mori pozat e ndoca rojeve a ithtarëve të Janusit dyfytyrësh, të cilët rrëmbyen pi-shtarin e kohës së re jo për të lëshuar dritë në muret e lagësht të kështjellës së vjetër të mendimit shqiptar, por për të djegur pergamenat e tyre kompromentuese. Ai s‘u ngjante as rishtarëve të mohimit in-extremis apo kompiluesve të paskrupullt, kur liritë e shprehjes u hapën dhe burgjet e mendimit u zhdukën. Doemos ky libër është një katedër e vërtetë refleksionesh 20 vjeçare pas përmbysjes së zhdano-vizmit shqiptar: për vetveten si dijetar, për artet dhe letërsinë, për kulturën, por edhe për mendimin estetik shqiptar si një disiplinë që meriton të respektohet. I konceptuar në një përmasë episte-miologjike me nocione, ligjësi, parime, raporte e kategori estetike të sërendi-tura në kapërcyell kohrash, rrymimesh të artit, përditësime estetikash klasike e të mbrame, ky libër merr rolin e një prijësi në këtë fushë të dijes, duke kryer gjithpo aq disa funksione: parashtrime të pastra teorike, paraqitje konceptesh dhe interpretimesh të llojllojta mbi estetikën në rrafsh zhvillimor historik, nyjëtime përvojash dhe raportesh midis kulturës, artit, filozofisë, shkencës, pohime ose polemikë shkencore me autoritete të njohura të kësaj dijeje filluar nga Platoni, Sokrati, Agostini, Kanti, Hegeli, Marksi, Fihte, Teni e gjer te Kroçe, Niçe, Hajdeger, Hrusel, Sartër, Kamy, Bart, Eko, Derida etj. Është një farë testamenti për vetë autorin, ku "urdhëresat" e vjetra harmonizohen me ato të rejat, mohohen dhe pohohen njëkohësisht, redaktohen dhe përplotësohen, shkartisen dhe shartohen, duke krijuar një kontinuitet logjik të brendshëm: nga më pak e plota dhe pjesërisht e pranueshmja tek më e plota dhe e gjithëpranueshmja.
Nuk dua të komentoj librin pararendës me tre vëllime "Universi estetik" (2004-2007), ku autori sjell në rrafsh të gjerë historik (antikiteti greko-romak, mesjeta, rilindja, ilumizmi, romantizmi, realizmi) idetë estetike zotëruese, sikundër një problematikë të gjerë teorike e metodologjike. Do ta quaja, ndoshta, si një "parathënie" të shtrirë e të hapur të "Estetikës metateorike…", kjo edhe sepse prej tij vjen e shfrytëzohet një lëndë e pasur dhe shumë e sintetizuar. Aftësia e këtij proto-libri ("Estetika metateorike…") është rimarrja, rishqyrtimi dhe riartikulimi i mjaft ideve, koncepteve, përcaktimeve, referencave të mëpar-shme, por tashmë në funksionin e ndriçimit të megaobjektit: estetikës si të tillë, estetikës si metateori mbi artin, estetikës për/mbi atë çka gjendet bri e përtej saj; pra për/mbi fenomenet estetike në natyrë e në shoqëri. Do ta krahasoja këtë proto-libër si një lumë të madh e të gjerë që gëlltit në shtratin e vet gjithë lumenjtë e tjerë, një lumë ku derdhen gjer edhe përrenjtë e proskat e "zhurmshme". Kur thashë përrenjtë e proskat e "zhurmshme", unë kujtoj një nga librat e hershëm e fort të bujshëm të autorit, "Labirinthet e modernizmit", botuar në vitin 1979. Paçka se aty kishte një mbivendosje të thukët nihiliste e ironike mbi artin avanguardist të shekul-lit XX, ashtu sikurse edhe pikëpamje puritane, ortodokse e përjashtuese, gjithsesi të bënte përshtypje begatia e informacionit, njohja e prirjeve, e for-mave, e kërkimeve, e eksperimentime-ve që kryheshin nga të ashtuquajturit "modernistë", këta "çudakë" të artit që thyenin lehtësisht tabu dhe rregulla shumëshekullore; të bënte përshtypje më tutje fenomenologjia e ndryshimeve radikale dhe e vërshimeve begatuese të letërsisë dhe artit të shekullit XX, nisur nga impresionistët, surrealistët, ekspresionistët, futuristët, dadaistët e fillimit të këtij shekulli dhe mbaruar me postmodernistët dhe laryshinë stilore të viteve ‘60. Ky libër është anatemuar sa asnjë tjetër pas viteve ‘90, është konsideruar si një sakrilegj, si një mëkat i rëndë, si një "puthadorje" ndaj qëndri-meve zyrtare dhe formatit ideologjik dogmatik të kohës. Mirëpo unë edhe sot jam i mendjes se në shkretinë e artit të socrealizmit, posaçërisht në gjëmbaçët teorikë të asaj kohe ku zhegu zhdanovist digjte gjithçka, disa hije a "fantoma" nocionesh, përvojash, trendesh, madje edhe shëmbëlltyrash sugjestive të artit modern e postmodern evropian sikur na hynin tinëz nëpër poret e trurit tonë aq të etur, për të ditur se ç‘dreqin bëhej vallë andej matanë "klonit"?!... Ǒishin këta tempullarë kokëkrisur të tipit të Pikasosë, Dalisë, Rembosë, Xhoisit, Prustit, Beketit, Shënbergut, pasuar nga një kavaleri inatçorësh, shpesh edhe ekstravagantësh, që suleshin plot dufe e hare drejt Jeruzalemit të artit për ta çliruar atë nga myku, vdekja, plakja, përdhosja? Mirëpo kjo ishte, sipas meje, një nga format e njohura të "dhelpërive" se si mund t‘i ofrohej bashkësisë së artistëve dhe shkrimtarëve shqiptarë ajo gjellë e ndaluar që shijohej veçse përtej kloneve të mendjeve tona të mbyllura, jo rrallë të budallallepsura. Pra, autori dhe libri mund të çmohet sot si një diversion. Ai bënte parashtrime konceptesh estetike e artistike mbi artin modernist, falë një qëndrimi "objektiv", ndërsa petku "anti" që hidhej përsipër në formë kundërsh-timi a ironie varej nga vetë lexuesi se sa i aftë do të ishte që ta hiqte e ta flakte tej. Si të thuash, nuk servirej sapuni për djath, por "djathi" për sapun. E ka bërë me qëllim apo pa qëllim, ka përdorur dinakërinë apo sinqeritetin, kjo e drejtë mbetet përjashtimisht në mendjen e autorit. Veç unë mund të them këtu, tek këto rradhë, se shumë nga paraqitjet, konstatimet, vërejtjet, komentet që gjenden atij libri, prof. Uçi i ka integruar natyrshëm në librat e botuar pas vitit 1990, sikundër ngjet edhe tek "Estetika metateorike…", duke ua zhvokshur lëvozhgën interpretuese të kohës dhe duke ruajtur aty "lëndën bruto". Kjo dëshmon, sipas meje, se ai luante me "dy porta", si gjithë të mençurit e asaj kohe. Sepse risjellja e burimologjive pas 20 e më shumë vjetësh mund ta shpjegojë fare mirë faktin se informacioni estetik dhe artistik mbi të panjohurat e mëdha të "artit të ndaluar", që i hasim në librin "Labirinthet e modernizmit" dhe librat e tjerë para vitit 1990, ishte pikërisht ai më parësori që u interesonte artistëve dhe lexuesve të periudhës moniste dhe jo interpretimi doktrinor, i cili dihej se do të ishte i paragjykuar. Rrjedhimisht, librat e prof. Uçi kanë bërë një shërbim të mbrothtë për mendjet tona fatalisht të ngushta, aq të vobekta, të kastruara nga ngujimi dramatik i dijes, nga përjashtimi i dhunshëm që u ishte bërë përvojave artistike moderne e postmoderne. E them këtë me sinqeritetin më të plo-të, pa patur kurrëfarë kompleksi nga dhëmbështrënguesit e paditurisë së re, të cilët tok me ujin e pistë që gjendej në govatat e pllenimit të asaj kohe hedhin pa e vrarë mendjen edhe pjellat e brishta të mendimit të krijuar me aq vështirësi e rrezik, në kushte qiklopike.
"Miti, Folklori, Letërsia" (1982) ishte një libër tejet i vështirë për kohën, jo thjesht për nga elokuenca e argumentimit sesa nga tema polidimensionale, nga ndërlidhjet, qasjet origjinale mbi mitet, mekanizmin e tyre sinkretik të përlindjes dhe funksionimit. Të gjitha këto, në shtratin e zbulesave të Uçit, vijnë si një kuvendim me oralet e mëdha shqiptare, me legjendat, rrëfenjat e moçme, ritet, pasurohen me ndriçimet e shumta që i bëhen folklorit shqiptar përgjithësisht dhe sendërtimeve të tij si frymë, emocio-nalitet, sugjestion dhe rimarrje motivesh në letërsi, shpërfaqen më tutje si enigma dhe sekrete të shpirtit, si arsenal dhe lën-dë e virgjër etnopsikologjike, si ligjërim epistemologjik i vetë procesit dhe ndërli-dhjes organike midis tri njësive të objektit të kapur: mitit, folklorit, letërsisë. Sadoqë më pak, edhe prej këtij libri është risjellë lëndë e sintetizuar në botimin e fundit të prof. Uçit, në vëllimin e dytë me nëntitull "Klasika apo nonklasika" (f. 423-448), sikurse ngjet edhe me librat "Estetika e groteskut" vëll I-IV, "Estetika në letërsinë shqipe". Ndërsa librat "Shekspiri në botën shqiptare" (1996), "Dostojevski në kohën tonë" (1997), "Ferr- Parajsa Danteske" (1998), "Prometeu dhe Hamleti" (1998), "Grotesku kadarean" (1999), "Pesë të mëdhenjtë e letërsisë shqipe" (2003) janë trajtesa të thelluara, mbushur me patose intelektuale, shestime racionale dhe flukse simpatie e admirimi; me përimtime ku buit kultura, me gërshetime kohësh dhe idesh, me zbulesa të tharmit universal dhe ekzistencial të qënies së riciklueshme (që këta autorë, personazhe apo paradigma krijimtarie sjellin në realitetet e reja estetike). Nuk do të lija jashtë vëmendjes edhe librat "Çështje teorike të kulturës", "Parime të estetikës e Jeronim De Radës", sidomos librin tejet të vështirë, elitar e të thelluar "Filozofia e Kavaliotit", ku autori i bën më të vërtetë nder mendimit shqiptar, një libër i denjë për ligjërime në katedrat universitare të botës.
Epilog
Profesor Uçi e ka mbaruar me kohë kafenë e tij, ashtu si dhe unë. Por biseda rrjedh e rrjedh. Një bisedë tejet e gjatë, e dëshirueshme prej tij si një mall për një ish studentin e vet, sikurse e respektueshme për mua ndaj atij modeli që e kam vlerësuar si rrallë kë në "zanatin" tim... "Dua të shkruaj një libër për Don Kisho-tin, m‘i ngul sytë ai, kam shumë ide për këtë paradigmë njerëzore universale, pse dhe si i tejkalon kohërat… Kam shumë dëshirë të flasë për Migjenin. Kam pastaj kujtimet e mia që, dashur pa dashur, lidhen me zhvillime të artit shqiptar, me personalitete, me ngjarje artistike, me institucione etj. Dua… dua…" Dhe ai më parashtron shqetësime, projekte, ide që kërkojnë libra të rinj… Unë veçse e shoh me admirim këtë burrë 80-vjeçar për energjinë e tij, për ëndrrën që s‘vyshket, për atë që vetëm pas vitit 1990 ai ka botuar plot 18 libra të vëllimshëm. Dhe përbrenda qenia më ndizet eshkë dhe gati sa s‘vikas bri ndoca "apostujve të rremë", sidomos të rinjëve syindiferentë që vazhdojnë të pijnë xhin e cigare të kushtueshme: "Homazh punës dhe dijes. Homazh pasionit. Homazh dashurisë ndaj shkencës. Homazh akademikut Alfred Uçi…" Por vikamën ma presin fjalët e Prof. Uçit. "S‘më kanë mbetur shumë vite, s‘di a do të arrijë t‘i realizoj këto që të thashë…" Dhe sytë e tij sikur i mbulon cipa e trishtimit. Veç një çast, pastaj ato ndritin rishtazi. Se natyra e tij tejet krenare, sfiduese, polemike, edhe inatin e ardhur nga pesha e viteve di që ta kthejë në punë pa fund, në vullnet të hekurt, në dëshirë të panginjur, në të tjerë libra. Në një ëndërr që zgjat…