E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mos na quani hermafrodite

Fitoi medaljen e artë, por nuk duhej të vraponte me femrat. Në Kampionatin Botëror të Atletikës që u zhvillua në Berlin, Caster Semenya, atletja afrikanojugore grua-burrë, u bë një rast ndërkombëtar. I quajnë hermafrodite, por ky term nuk është shumë shkencor, sepse kur i thërrasin tingëllon shumë diskriminues. Shkenca i quan subjekte interseksuale, për shkak të një anomalie gjenetike ose hormonale. Në botë jetojnë shumë vajza të cilat vuajnë nga kjo anomali. "Identitetin tim të vërtetë e njoha në moshën 22-vjeçare. Ndodhej në një sirtar te dollapi i dhomës së gjumit ku flinin prindërit e mi, kartela klinike e operacionit që kisha bërë kur isha e vogël. Ime më e kishte quajtur një hernie. Por te raporti ishte një e vërtetë tjetër: ‘heqje e gjëndrave seksuale për sindromën e Morris‘. I shkrova ato fjalë në internet dhe më rrëshqiti toka nën këmbë".

Njerëzit si Mery, me sindromën e Morris, lindin një në pesëmbëdhjetë mijë. Kjo sindromë është një mutacion gjenetik: pra që një femër lind me organe gjenitale pjesërisht mashkullore dhe nuk mund të lindë fëmijë. Praktikisht kromozomet seksuale janë XY, si te meshkujt. Heqja e gjëndrave seksuale (në këtë rast minitestikuj të brendshëm), bëhet për të shmangur rrezikun e zhvillimit të ndonjë tumori.

"Zbulimi që je ‘viktimë‘ e sindromës Morris, shpesh është brutal", tregon Mary, që sot është 35 vjeçe. "Është e tmerrshme kur nëna të çon te gjinekologu, sepse nuk më kanë ardhur ende menstruacionet dhe dëgjon mjekun të thotë: ‘Zonjë, vajza juaj është mashkull‘. Por është akoma më e dhimbshme kur në analizë shkruhet: ‘hermafrodite‘ dhe infermieret të vështrojnë të çuditura. Është një situatë e padurueshme. Në atë moment dëshiron të vdesësh".

Në Europë rastet e hermafroditëve janë klasifikuar si të rralla, edhe pse tashmë nuk janë më të tilla. Falë grupeve që i mbështetin këta persona, është bërë i mundur takimi i hermafroditëve dhe familjeve të tyre. Mary tregon historinë e saj: "Vij nga një vend i zhvilluar, por në familjen time ky argument ka mbetur ende tabu. Heqja e gjëndrave seksuale m‘u paraqit si një operacion i hernies, mungesa e menstruacioneve si ‘dëshirë e Zotit‘. Operacioni ishte një mënyrë për të fshehur turpin dhe kirurgët e bënë si të tillë. Askush deri më sot nuk është në gjendje të thotë se bëhet për të shmangur tumoret. Që nga ai moment fillon të jetosh me estrogjenet".

Francis është 48 vjeçe dhe punon si operatore sociale në Belgjikë. "Jam operuar që në moshën 4-vjeçare, kur sindroma e Morris u shfaq si hernie e dukshme. Për familjen dhe doktorët, operacioni ishte thjesht një ‘heqje‘ e hernies. Më janë dashur njëzet vjet për ta falur tim atë që nuk më tregoi të vërtetën. Të marrësh vesh lajmin pa qenë e përgatitur mund të kalosh në depresion, është e sigurt që merr inat mjekët që të japin dozën e hormoneve, të këshillojnë për një vaginë plastike dhe e fundit të thonë se falë sindromës nuk do të kesh kurrë celulit".

Katherine, 30 vjeçe, infermiere profesioniste shprehet: "Gjëja më normale që të thonë mjekët është vendosja e një vagine plastike. Zakonisht kush vuan nga sindroma e Morris ka një vaginë më të vogël se normalja dhe ajo plastike këshillohet nga mjekët për të pasur marrëdhënie seksuale të kënaqshme. Më pas zbulova se me ‘vaisjen‘ dhe eksperiencat seksuale pjesa më e madhe e vajzave si unë mund të kenë marrëdhënie seksuale tepër të kënaqshme. Më vjen keq që vetëm disa gjinekologë ta shpjegojnë këtë".

Ja çfarë tregon një mësuese 43-vjeçare për marrëdhënien me gjininë tjetër. "Partnerëve të mi më të rinj nuk u kam folur për këtë problem. Të vetmit që i thashë, por u gabova, ishte djali me të cilin mendoja se do të kaloja të gjithë jetën time. Pasi rrëfeva sekretin, filloi të më shihte me sy tjetër dhe në krye të tre muajve u ndamë. E shqetësonte fakti që jetonte me një njeri ‘ndryshe‘. Me bashkëshortin tim çdo gjë shkonte për mrekulli, madje birësuam edhe një fëmijë. Fatkeqësisht në raportin e adoptimit gjinekologia ka shkruar që kam hequr mitrën. Nëse do të ishte cituar sindroma e Morris, ndoshta nuk do të na e kishte dhënë fëmijën. Ne jemi njerëz të çuditshëm edhe për psikologët. Sëmundja është turp shoqëror edhe për faj të burokracisë".

Nga sindroma Morris tek ajo Klinefelter, pra janë burrat-gra siç i paraqesin edhe shumë faqe interneti jo specialiste. Të dhënat e një kongresi të sapombyllur në Romë kanë treguar se kur femrat shtatzëna diagnostikojnë sindromën Klinefelter tek embrioni, e ndërpresin shtatzëninë. Kështu, përqindja e femrave që abortojnë në Europë ka arritur në 70%.

Kristine është e ëma e Brandy-t që sot është 11 vjeç dhe jeton në një provincë të Holandës. "Kur bëra analizat para lindjes, nuk më shqetësonte steriliteti, rritja e gjoksit apo keqformimi i testikujve, më shqetësonte vonesa mendore për të cilën më kishin folur shumë doktorë. Gjithsesi, unë vendosa ta vazhdoja shtatzëninë".

Në kongres studiuesit kanë theksuar se si vonesa mendore, ashtu edhe koeficienti i zgjuarsisë te personat e prekur nga sindroma e Klinefelter, janë gjithnjë në normë; fakti që fillon të flasësh vonë dhe të kesh vështirësi në sjellje mund të kalojë me terapi dhe mësues. Marrëdhënia mes prindërve dhe fëmijëve është një element vendimtar dhe diagnoza para lindjes është çelësi i gjithçkaje. Gjithsesi, 62 për qind e personave që vuajnë nga sindroma e Klinefelter nuk janë në dijeni për diagnozën e tyre. Ndërsa 40 për qind e tyre që vuajnë nga sindroma e Morris, e zbulojnë pas adoleshencës.

Te meshkujt problemi i Klinefelter është edhe më i madh, sepse modifikimet fizike të jashtme janë të ndjeshme, sidomos nëse duhet të përballohet një operacion i zvogëlimit të gjoksit, të shkaktuar nga testosteroni. Nëse një vajzë 18-vjeçare mund të jetë gati për t‘u përballur me të vërtetën mbi identitetin e saj, një bashkëmoshatar i saj e ka shumë më të vështirë, madje për të mund të jetë shkatërrues.

Nëse dëshironi që gjërat të ndryshojnë duhet të përballeni me të vërtetën. Në pak vite grupet që mbështesin hermafroditët kanë ndihmuar shumë djem dhe vajza të rigjejnë identitetin e tyre të mohuar, duke u konsultuar me mjekët dhe gjinekologët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›