E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush lind sot, do të jetojë një shekull

Një fëmijë i lindur sot, do të jetojë deri në 100 vjeç. "Mosha e tretë, shenja paralajmëruese për të katërtën", konfirmon një studim i publikuar nga revista mjekësore "The Lancet", që sipas të cilit, një në dy të sapolindur do t‘i kalojë 100 vitet, sigurisht nëse ka lindur sot në Amerikën Veriore, Europën Perëndimore ose Japoni.

Në shekullin XX, jetëgjatësia në vendet e zhvilluara është rritur mbi 30 vjet. "Ndërkohë po presim që të vazhdojë e njëjta tendencë edhe në të ardhmen, ku pjesa më e madhe e fëmijëve që kanë lindur pas vitit 2000 të arrijnë moshën 100-vjeçare dhe tre të katërtat e këtyre moshën 75-vjeçare", shkruan Kaare Christensen, drejtori i Qendrës së Kërkimeve Daneze për Plakjen dhe autor i studimit të "The Lancet". "Jetëgjatësia nuk është privilegj i brezave të ardhshëm, por fati i shumë personave që sot jetojnë në vendet në zhvillim".

Pyetja që shtron Christensen është: "Si do të jetë jeta e 100-vjeçarëve në shekullin XXII". Pavarësisht shtimit të sëmundjeve kronike si diabeti, artriti, ose sëmundjeve të zemrës, të moshuarit e së ardhmes do të jenë më aktivë dhe më të pavarur se sot. Sipas të dhënave të "The Lancet", fillimi i moshës së katërt, ajo e invaliditetit dhe ndihmës së vazhdueshme, do të fillojë pas moshës 85-vjeçare. "Kundërshtimi është i dukshëm", shkruan studiuesi danez. "Duhet të kemi parasysh sukseset e mjekësisë, siç janë diagnozat e parakohshme, kura shumë më të përshtatshme dhe sëmundje që janë të destinuara të bëhen gjithnjë e më të lehta. Deri në moshën 85-vjeçare njerëzit do të jenë të aftë të punojnë dhe të çojnë përpara aktivitetet e tyre të përditshme, pa shumë pengesa". Një element shumë i rëndësishëm që do të ndihmojë në rritjen e jetëgjatësisë është reduktimi i pirjes së duhanit (86 vjeçe është rekordi i femrave japoneze), ndërsa ai që kërcënon parashikimet optimiste për të ardhmen, është shtimi i obezitetit.

Duke hyrë në moshën e katërt, vështirësitë do ta bëjnë edhe më të pamundur shijimin e jetës dhe do të duhet shumë punë për t‘u siguruar të moshuarve ndihmën. Nëse në fillim të shekullit XX, ishte ulja e numrit të vdekshmërisë së bebeve ajo që ndihmoi në përmirësimin e jetëgjatësisë, sot sfida për të pasur një jetë sa më të gjatë lidhet me moshën e tretë dhe të katërt, pasi këto të fundit preken më shumë nga sëmundjet.

"Kemi vënë re një rritje lineare dhe konstante të jetëgjatësisë gjatë 165 viteve të fundit. Në fakt asgjë nuk tregon që kjo tendencë duhet të ndalojë dhe se kohëzgjatja e jetës njerëzore duhet të ketë një pikë fikse", vazhdon më tej studimi i "The Lancet". Ishte viti 1980 kur doktori amerikan James Fries bëri parashikimin, por që më pas ishte krejtësisht i gabuar: asnjëherë jetëgjatësia e një njeriu nuk do ta kalonte moshën 85-vjeçare. Sot, studiuesi danez që ka krahasuar studimin e tij shkencor me disa të tjera të bëra vite më parë për sëmundjet dhe jetëgjatësinë, pohon se 50 për qind e fëmijëve japonezë të lindur më 2007-n do të arrijnë të jetojnë deri në moshën 107-vjeçare.

Shumë optimiste dhe inkurajuese janë parashikimet e Christensen, tregon një shoqëri me më shumë të moshuar se sa të rinj. Sipas studimit të "The Lancet", kjo është "një gjëegjëzë" të cilës do t‘i mungojë gjithmonë përgjigjja. Shpresojmë të paktën të mos revolucionojë botën e punës. "Nëse shekulli XX është karakterizuar nga rindarja e të ardhurave, shekulli XXI do të karakterizohet nga rindarja e punës", shkruan Christensen. "Do t‘i thërrasim 60 dhe 70-vjeçarët të punojnë me kohë të pjesshme, ose me orare të përshtatshme për nevojat e tyre. Edhe më të rinjtë do të kenë mundësi t‘i ulin angazhimet e tyre. Evidencat shkencore tregojnë se të moshuarit e së ardhmes do të jenë më aktivë dhe më të pavarur nga ç‘janë sot", përfundon studiuesi danez.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›