E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, helikopteri i rrëzuar me 600 predha me uranium të varfëruar

Nga Aleksandër Marku.
 

GREQI- Siç u bë e ditur dje nga mediat greke një helikopter “Apache” i ushtrisë greke u rrëzua në ishullin Kimi dhe si pasojë dy pilotë e tij kanë gjetur vdekjen.

Ende nuk janë zbardhur shkaqet e rënies së tij, por ajo që është zbuluar nga gazetarët e kanalit televiziv “Alpha” është fakti që ky helikopter ka qenë i furnizuar me 600 predha të posaçme me të cilat kanë qenë, predha me uranium të varfëruar si dhe me titan.

Fakti që rrëzimi i helikopterit është shoqëruar me shpërthime të mëdha të cilat kanë vazhduar edhe shumë orë pas rënies së tij, si dhe të ndërhyrjes së grupit të posacëm biologjik të ushtrisë, kanë shkaktuar shqetësim tek banorët e zonës.

Sipas kanalit televiziv, zona ka rrezik të jetë ndotur me lënde radioaktive sepse secila predhë, gjithnjë sipas këtij kanali ka një peshë prej 750 gramësh nga të cilat 300 gram janë uranium i varfëruar dhe titan, një substancë që ka përdorur ushtria amerikane në luftën e pare në Gjirin Persik dhe që është konsideruar nga specialistët si shkaktar për të ashtuquajturën “sindromën e gjirit” sëmundje nga e cila vuajnë shume veteranë të luftës .

Madje sipas televizonit në fjalë thuhet se këto predha janë përdorur nga amerikanët edhe në luftën me Jugosllavinë në dekadën e kaluar, madje siç dihet ka pasur edhe shumë artikuj në shtypin botëror për “sindromën e re të Ballkanit” që shkaktuan këto predha.

Nga ana e ministrisë greke të Mbrojtjes deri tani nuk ka asnjë deklaratë zyrtare. Sipas qarqeve ushtarake të vendit, ishte gabim i komandës greke të Forcave Ajore që lejuan të bëhej një lojë ushtarake ku helikopterët të kishin municione lufte.

Sipas ekspertizës nga specialistët helikopteri fluturonte shumë ulët për mos u diktuar nga radarët e armikut dhe me sa duket një pakujdesi e pilotëve për shkak të mjegullës,ose dhe një difekt i motorit , ka sjellë përplasjen e tij në shkëmbin e një kodre të ishullit.

Po sipas kanalit televiziv edhe në të kaluarën ka pasur mangësi në mirëmbajtjen e helikopterëve “Apache” të ushtrisë greke, për arsye të mungesës së teknikeve, pilotëve dhe pjesëve të këmbimit.

Vlen të përmendim se nuk është hera e parë që në ushtrinë greke kanë ndodhur tragjedi të tilla.

Sipas mediave greke viktimat e të rënëve në kohë paqe prej vitit 1990 deri më sot janë me shumë se 161 ushtarakë.
Për sa u përket dy pilotëve të djeshëm ministri grek i Mbrojtjes ka shpallur dy ditë zi kombëtare për Focat Ushtarake. 
(a.r/balkanweb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›