E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, kapen me 2.5 tonë hashash një shqiptar e 4 grekë

ATHINË- Gjatë një operacioni, policia greke dhe antidroga zbuluan sot 2.5 tonë hashash, 2 tonë nga të cilat i fshehur në dyshemenë e një kamioni dhe 600 kilogramë në një magazinë në Athinë. Policia tha se kjo sasi hashashi ka hyrë në Greqi nga Shqipëria dhe kishte për destinacion Londrën.

Drejtori i policisë së Athinës Janis Dhikopulos ka deklaruar se janë arrestuar 5 shtetas grekë dhe një shqiptar, në mes të të cilëve edhe kreu i këtij rrjeti trafikantësh.

Paralelisht policia e Athinës zbuloi në zonën industriale të kryeqytetit grek një magazinë, ku grumbullohej e përpunohej hashashi i ardhur nga Shqipëria dhe arrestoi aty në flagrancë një shqiptar të armatosur me një kallashnikov.

U sekuestruan 3 kamionë 2 prej të cilëve merreshin me transportin ndërkombëtar të lëndës narkotike, armën, një sasi eurosh, dhe paundësh anglezë dhe skocezë, 12 telefona celularë dhe 4 peshore elektronike.

Policia thotë se me kapjen e këtyre personave ka shkatërruar një rrjet të rëndësishëm greko-shqiptar të trafikimit të lëndëve narkotike drejt Evropës perëndimore.

(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›