Greqi kriza bashkon familjet

Nëse ishte krijuar prej vitesh tradita që sapo një i ri mbaronte universitetin, apo edhe më herët, të jetonte i pavarur, tashmë, sipas një sondazhi të kryer ditët e fundit, 61% e të rinjve të moshës nga 18 deri në 34 vjec vazhdon të jetojnë me familjen.
Karakteristikë e kësaj gjenerate është fakti që sheh pa shpresë të ardhmen dhe nuk beson më tek premtimet e udhëheqësve politikë.
Me mosbesim është pritur përsëri edhe fjala e kryeministrit grek nga konferenca “Bota e re, kapitalizmi i ri”, e zhvilluar në Paris.
“Detyra e qeverisë sonë sot është të kryejë ndryshime rrënjësore, te krijojë një shoqëri të transparencës dhe të qeverisjes së mirë, në vend që të japë privilegje për disa dhe sidomos për interesa të vecanta. Ne duam të garantojmë të drejtat themelore për të gjithë. Drejtësi, barazi, mirqënie dhe punë”, deklaroi Papandreu.
Por në vend është krijuar një plejadë e madhe e atyre që marrin vetëm 600 euro në muaj, ndërsa është rritur armata e të papunëve në moshat pasuniversitare, kështu që mundësitë e jetesës së pavarur nga prindërit tashmë janë minimizuar.
44% e të rinjve besojnë se nuk iu mjaftojnë të ardhurat për të ikur nga shtëpia e tyre, ndërsa 28% konsideron se qeratë dhe mënyra moderne e jetës është shternjtuar në maksimum.
Sipas sondazhit, kthimi në traditën e viteve ‘50, kur fëmijët jetonin bashkë me prindërit, ka vetëm një anë pozitive që sjell përkohësisht më pranë njëri-tjetrit anëtarët e familjes në këto kohë të vështira.