E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, kriza politike, sot Samaras takon presidentin Papulias

ATHINË- Në Greqi pritet sot në ora 13 00 një takim mes kryetarit të opozitës konservatore, Antonis Samatas dhe presidentit Papulias, takim që zhvillohet pas refuzimit të Samaras për t’u bërë pjesë e procesit të krijimit të një qeverie koalicioni. Ky takim zhvillohet nën vëmendje të vecantë, sepse shihet si shpresë për kapërcimin e ngërcit të rrezikshëm, ku është futur politika.

Megjithë zhvillimet u fundit politike që i hapën rrugën krijimit të një qeverie koalicioni e megjithë interesin ndërkombëtar që ky proces të kryhet sa më shpejt për të shkuar drejt ratifikimit të marrëveshjes së kredisë, Samaras nuk kthen qëndrim por këmbëngul në zgjedhjet.

Zëdhënësi i qeverisë Elio Mosialos i bëri thirrje mbrëmë kreut të opozitës konservatore dhe gjithë partive të tjera, për të treguar frymë konstruktive dhe konsensusi.
Ai siguroi se “kryeministri Papandreu nuk ka vënë kushte për të udhëhequr një qeveri të bashkëpunimit”.

Në përgjigje të deklaratave të Samaras, zëdhënësi i qeverisë bën të qartë se “kryeministri e ka përsëritur disa herë publikisht se nevoja e bashkëpunimit ka vetëm një qëllim, për t’iu shërbyer interesave kombëtare”.

Në mbrëmje në ora 18 00 Papandreu mbledh kabinetin qeveritar.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›