E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samiti G20, Obama: Zgjidhje specifike për Greqinë

KANE- Liderët e G20-ës në Kanë kanë përfunduar Samitin e tyre, që u dominua nga kriza në Eurozonë me një plan për të stimuluar rritjen ekonomike dhe për të ribalancuar ekonominë globale.

Gjatë një konference për shtyp, presidenti amerikan Barak Obama pranoi se ekonomia amerikane po rritet me ritme të ngadalta por “se liderët në Samit kanë bërë progres për t’i vënë vendet e tyre në pozicione më të qëndrueshme”.

Sipas tij Europa ka rënë dakord për një plan që të parandalojë krizën e borxheve në kontinent dhe të mos lejojnë përhapjen e krizës greke në vendet e tjera të Eurozonës.

Presidenti amerikan tha se, BA-të duhej të merrnin hapa agresive për të rregulluar krizën e tyre ekonomike disa vjet më parë dhe i bëri thirrje partnerëve të tij europianë që të bëjnë të njëjtën gjë. “Ata do të gjejnë një partner të fortë tek ne, por liderët europianë e kuptojnë se tregjet kohët e fundit kërkojnë një sinjal të fortë nga Europa se ne mbështesim euron”- tha Obama.

Ndërkohë shefja e FMN-së Kristine Lagarde pas përfundimit të Samitit tha se anëtarët e FMN-së kanë marrë angazhime për të mbështetur me fonde dhe kredi kurdo që të jetë e nevojshme si dhe të rrisin fondet e tyre.

G20: Greqia të miratojë planin e shpëtimit, Italia do mbikëqyret nga FMN
Ora 14:10-  Presidenti i Komisionit Europian, Hoze Manuel Barroso dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy në një konferencë shtypi pas Samitit të G20 thanë se objektivi i këtij samiti ishte rritja ekonomike botërore.

Duke u ndalur tek kriza në Greqi, dy liderët u shprehën se parlamenti grek duhet të miratojë planin e ri, e më pas do të lëvrohet fondi i shpëtimit. Po sipas tyre Greqia ka bërë shumë përpjekje për të kapërcyer krizën.

“Duhet të bëjmë më shumë për të rritur ekonominë botërore. Gjatë samitit patëm debate dhe replika për transaksionet, prandaj s’kemi marrë ende një vendim. Mund të them se ishte një samit i suksesshëm, por ka shumë për të bërë”, deklaroi Barroso në fillim të konferencës.

Ndërsa Herman Van Rompuy tha se Greqia duhet të gjejë sa më parë stabilitetin ekonomik dhe konsensusin politik. “Greqia ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme, por që ne të vazhdojmë ndihmën, plani i ri duhet të miratohet nga parlamenti”, theksoi Rompuy.

Pas pyetjeve të gazetarëve, Barroso nuk nguroi të deklarojë së “Pasiguria që erdhi pas deklaratave të Papandret nuk solli stabilitet”. Ai tha më tej se vazhdon të ketë besim se plani i shpëtimit do të miratohet nga Greqia.

Liderët europianë u shprehën se rasti i Italisë, është i ndryshëm nga ai i Greqisë. Rompuy u shpreh se tashmë Italia ka filluar rikonstruktimin financiar, duke i kërkuar Fondit Monetar Ndërkombëtar që të monitorojë masat që do merren nga Roma për të ulur deficin e lartë publik që ka ky vend.

Pas liderëve Barroso e Rompuy, mbajti një konferencë edhe Presidenti i Francës Nikolas Sarkozy, i cili u shpreh se “Mirëpres vendimin e Italisë për ftesën që i ka bërë FMN-së”.
(m.a/News24/BalkanWeb) Lidhje te tjera Kriza, BE: Italia dakort të mbikqyret nga FMN

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›