E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, leje qëndrimi për të huajt, kush ka jetuar 12 vjet

ATHINE- Parlamenti grek miratoi projekt-ligjin e qeverisë “Për riorganizimin e sistemit të dhënies së lejeve të qëndrimit të të huajve në Greqi”.

Me ligjin e ri jepet leje qëndrimi për arsye të veçanta, si, për viktimat e trafikut apo të dhunës familjare, viktimave të aksidenteve në punë, të miturve apo adoleshentëve që kanë lindur në Greqi, etj.

Por më e rëndësishmja, nga e cila përfitojnë një numër i madh emigrantësh shqiptarë, është se leje qëndrimi do t’iu jepet edhe personave që “vërtetojnë se kanë krijuar lidhje substanciale me Greqinë”, duke dëshmuar se kanë të paktën 12 vjet qëndrim të vazhdueshëm në këtë vend.

Në projektligjin që u paraqit në parlament qeveria kishte përcaktuar 10 vjet afat qëndrimi në Greqi si kusht për dhënien e lejes, por me këmbënguljen e opozitës Demokracia e Re, ky limit u rrit në 12 vjet.

Ligji iu jep zgjidhje problemeve të atyre emigrantëve shqiptarë, të cilët për shkak të krizës së 2 viteve të fundit, nuk kanë mundur të sigurojnë 150-200 pulla të sigurimeve shoqërore, “ensima”, që janë kusht për rinovimin e lejeve të qëndrimit.

Ministri i Brendshëm Haris Kastanidis e vlerësoi projektligjin si një hap më tej drejt zgjidhjes europiane të problemit të imigracionit.

Dokumentacioni që duhet për marrjen e lejes së qëndrimit në Greqi:
- Formulari i aplikimit
- Tre  fotografi me ngjyra, me përmasat e fotos së pasaportës, si dhe trajta digitale e tyre në CD në formë JPEG2000.
- Fotokopje e pasaportës së vlefshme
- Vizë hyrëse në Greqi (qoftë dhe e skaduar), ose leje qëndrimi vlefshmëria e së cilës ka skaduar, apo vërtetim nga shërbimi i kontrollit të pasaportave apo autoriteti konsullor kompetent, për rastet kur ka humbur pasaporta në të cilën ishte ngjitur viza hyrëse apo pulla e lejes së qëndrimit apo dokumenta që vërtetojnë qëndrimin e vazhdueshëm 12 vjeçar në vend.
- Mandat pagese (paravolo) me vlerë 300 euro
- Dokumenta që vërtetojnë krijimin e lidhjeve me vendin (Greqinë), si:
a) Vërtetim për ndjekje mësimesh në gjuhën greke
b) Tituj studimi në shkollë greke të nivelit të parë apo të dytë
c) Leje të mëparshme qëndrimi, pavarësisht autoritetit që i ka nxjerrë ato
d) Fotokopje të deklaratave tatimore (forolojiki dilosi) të viteve të mëparshme
e) Vërtetime për siguracion në entet greke të sigurimeve shoqërore
f) Vërtetim ekzistence lidhjesh farefisnore me qytetar grek apo homogjen
g) Vërtetim për ndjekje studimesh në institucionet arsimore të Greqisë
h) Fatura veprimesh bankare
i) Akte noteriale që u hartuan në prezencë të aplikuesit

Dokumentat mbi bazën e të cilave përllogaritet qëndrimi 12-vjeçar në vend, janë si më poshtë:
- Dëftesa për ndjekjen e studimeve në institucionet arsimore në Greqi
- aplikim për marrje titulli qëndrimi, provizor apo të përhershëm në Greqi
- kopje të vendimeve refuzuese ndaj kërkesës për marrjen apo rinovimin e lejes së qëndrimit
- tituj të mëparshëm qëndrimi, pavarësisht autoritetit që i ka nxjerrë
- kopje të deklaratave tatimore të viteve të mëparshëm
- kopje e AFM
- vërtetime sigurimi në një organizëm grek të siguracionit primar
- librezë shëndetësore
- fatura korrenti (DEH), telefoni (OTE), uji (EYDAP) dhe të telefonisë celulare në emër të aplikuesit
- fatura transfertash parash në vendet e origjinës (në rastin konkret në Shqipëri), përmes institucioneve bankare, kompanish ndërmjetëse në transferimin e kapitaleve, mbikqyrja e të cilave bëhet nga Banka e Greqisë
- vërtetim se ka ndjekur mësime për gjuhën greke
- vendime gjyqësore
- vendime për deportim (apelasi) që nuk janë ekzekutuar
- kopje të pasaportave të mëparshme (të gjitha faqet)
- deklarata të ngjarjeve që lidhen me gjendjen civile
- vërtetim kurimi në institucione shëndetësore
- akte noteriale që u hartuan në prani të aplikuesit

Shënim: Dokumentat e lëshuara nga autoritetet e huaja duhet të jenë të përkthyera zyrtarisht e të legalizuara (sigluara).

(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›